Loti i 4 i Unazës së Madhe të Tiranës gati në verë

Shqipëria

Loti i 4 i Unazës së Madhe të Tiranës gati në verë

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Në lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, po punohet me ritme të shpejta për ngritjen e viaduktit, projekt që e trajton këtë zonë edhe me elementet urbane. Gjatë inspektimit në kantier Zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastruktures Belinda Balluku u shpreh se ky segment është tepër kompleks.

“Eshtë një lot shumë kompleks pasi këtu kemi ndërtimin e një viadukti rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin tre. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës, jemi në një zonë shumë të banuar, një zonë ku kemi pasur ndërtime ilegale të cilat na është dashur që ashtu siç bëjmë ne gjithmonë në bashkëpunim me qytetarët, pavarësisht se këto prona janë të palegalizuara, përmes marrëveshjeve që janë bërë, përmes një diskutimi të gjerë me komunitetin kemi arritur t’i japim zgjidhje.”

Balluku foli edhe për afatet e këtij segmenti, ku pavarësisht vështirësive që ndeshen në terren, do të jetë gati në verën e vitit të ardhshëm.

“E kemi thënë këtë që gjeologjia e Tiranës është gjeologji e vështirë siç na ndodh dhe në pjesën e Murrizit. Ne kemi një afat kontraktual është vera e vitit 2024, sot ndodhemi diku në 32%  të ecurisë së punimeve, por nga momenti që trarët janë gati dhe janë të prodhuar me përfundimin e pilotave fillon vendosja e tyre, kështu që ne jemi të angazhuar që të ruajmë kohët kontraktuale. Pra, vera e 2024 flasim për pak muaj do të jetë gati edhe ky segment.”

Loti i 4-t i Unazës së Madhe të Tiranës që kalon në zonën e Shkozës, mbetet një nga segmentet tepër të rëndësishme të ketij projekti infrastrukturor të kryeqytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat