Tymi dhe flakadanët “pushtuan” Kuvendin, mes tensioneve mbyllet seanca plenare

Shqipëria

Tymi dhe flakadanët “pushtuan” Kuvendin, mes tensioneve mbyllet seanca plenare

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 09:39 Përditësuar në ora: 10:59 më 04.12.2023
Pamje nga Kuvendi

Mes tymit dhe flakadanëve, përfundon seanca në Kuvend

Ashtu siç nisi edhe përfundoi, me tensione, tym e flakë. Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë u karakterizua nga përplaset e deputetëve opozitarë që mbështesin Berishën, me Gardën e Republikës, por jo vetëm.

Flamur Noka, Albana Vokshi, ishin disa prej deputetëve që ndezën flakadanë në Kuvend. Megjithë kontrollet e ushtruara nga garda, sërish flakadanët hynë në sallë.

Deputeti Noka u përplas me gardistët dhe u përjashtua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Megjithatë, Noka nuk u përmbajt, por ndezi sërish flakadanë, por edhe u vuri flakën disa letrave.

Sali Berisha pati përplasje verbale me socialistin Vullnet Sinaj, i cili më parë u grushtua nga mbështetësi i ish kryeministrit, Sali Berisha.

Seanca nuk zgjati shumë, teksa fjalimet e pakta të socialistëve, thuajse nuk u dëgjuan, për shkak të zhurmës së krijuar nga Rithemelimi. Në seancë, mungoi kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Po mbajnë lart flakadanët. Mund të shikoni përplasjet e Flamur Nokës me gardën. Një flakadan është hedhur te socialistët. Kryeministri Rama mungon. Garda u përpoq që të elemintonte çdo send të deputetëve të opozitës, por nuk pati rezultat. Flakadanët hynë sërish në seancën plenare. Ka një përplasje verbale të Sali Berishës me socialistin Vullnet Sinaj. Mund të shikoni Arbër Agalliu, mbështetës i Bashës, nuk po merr pjesë në aksion, por po qëndron në seancë. Edhe Agron Gjekmarkaj po e ndjek seancën, por nuk po i bashkohet aksionit të deputetëve. Mungon Lulzim Basha, mungon Edi Rama. Nuk shoh aleatë të opozitës, përveç Erisa Xhixhos të Partisë së Lirisë. Flakadani iu hodh Kryetares së Kuvendit, por u kap nga garda. Socialistët po mbajnë disa fjalime tyë cilat nuk dëgjohen. U ndez një flakadan tjetër nga Albana Vokshi”, raportoi gazetarja e ABC News, Esiona Konomi

Noka tenton t’i vëjë zjarrin parlamentit, ndez fleta dhe i vendos poshtë karrigeve

Seanca plenare e kësaj të hëne është shoqëruar me përplasje të forta mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të Gardës.

Në nisje të seancës deputetët bllokuan me karrige foltoren e Kuvendit.

Më pas nga kamerat u kap se deputeti Flamur Noka tenton t’i vëjë zjarrin parlamentit, ndez disa fleta dhe i vendos poshtë karrigeve.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla përjashtoi deputetin demokrat dhe mbylli seancën plenare ku ligjvënësit do të flisnin për problematikat e zgjedhësve.

Tension e tymuese në Kuvend, përjashtohet nga seanca Flamur Noka

Seanca në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur këtë të hënë me të njëjtin skenar të opozitës; karrige të përmbysura dhe tymuese.

Ishte deputeti i PD, Flamur Noka i ciku ndezi një tymuese duke shkaktuar kaos në sallën e Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i bëri me dije Nokës se është i përjashtuar nga seanca për shkelje të rëndë të rregullores.

Deputetët e PD Albana Vokshi dhe Flamur Noka janë konfliktuar me punonjësit e Gardës para foltores, në një kohë që deputetët e mazhorancës vijonin fjalimet.

Në një moment deputetët Gazment Bardhi dhe Edi Paloka kanë tentuar t’i mbyllin mikrofonin deputetit të PS, Petro Koçi duke e quajtur komunist.

Kaos sërish në Kuvend, deputetët e PD përmbysin karriget dhe bllokojnë foltoren

Vijojnë dhe në Kuvend tensionet mes depyutetëve të PD dhe mazhorancës.

Deputetët e PD kanë përmbysur karriget tek foltorja ndërsa garda është vendosur në të gjithë Kuvendin për të mos lejuar që përplasjen të vazhdojnë.

Ndërkohë Sali Berisha në fjalën e tij për mediat u shpreh se Edi Rama e zgjodhi Taulant Balla për të organizuar puçin kundër Kuvendit.

Mes tjerash ai hodhi dhe akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, duke thënë se ka abuzuar me buxhetin e shtetit për përfitimet e tij personale.

“Për një Taulant Bego Yaris, taksapaguesit paguajnë sot një batalion për mbrojtjen e tij.

Një person, i cili ka shok përveçse përjashton serial killerat, është shok me të gjithë vrasësit dhe trafikantët e tjerë në burgjet e Shqipërisë.

Një person që mbante tre telefon të kriptuar për të komunikuar me bandë dhe tani u rri si gjel oficerëve të policisë se keni pasur telefona të kriptuar dhe heq atë që don dhe mban atë që do.

Aty është një narkotrafikant, një person i inkriminuar, që ka vetëm veten shok, të cilin Edi Rama e përzgjodhi për të vetmen meritë. Edi Rama kishte në projekt puçin dhe besoi se nëpërmjet tij dhe lidhjeve të tij me bandat, mund të mbajë puçin ka organizuar kundër parlamentit. Marrjen e pushtetit të parlamentit, moslejimin e deputetëve për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare, të cilat do e nxjerrin Edi Ramën kryeministrin më hajdut në Europë.

Komisionet janë forma e kontrollit mbi qeverinë. Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet sepse do nxjerrin në pah se sarajet e tij të Surrelit, janë të ndërtuara të gjitha mbi bazën e ryshfetit dhe favoreve që u ka dhënë firmave të ndërtimit. Sepse toka në 5 mijë metër katrorë, është marrë në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Dhe ka pasur proces kundër tyre.

Se pallati i zonjës Basha nuk ka asnjë faturë, por sikur ka mbirë nga toka, natyrisht e ndërtuar nga kompani ndërtimi, që kanë përfituar nga Edi Rama tendera dhe leje ndërtimi.

Edi Rama nuk mund të pranojë kurrsesi të hetohet pasi në 2 vite me 140 udhëtimet e tij, ka grabitur nga thesari 22 milionë euro abuzime. Në udhëtimin e tij të fundit, thuhet se qëllimi kryesor ishte një takim me bosët e drogës në Dubai dhe në mënyrë të veçantë me ortakun e vëllait të tij Olsi, Amant Josifi, që ka vjedhur me call-centerat e tij mbi 2.4 miliardë euro.

Këto që shihni janë përpëlitjet e fundit të kleptokratëve, besojnë se me grusht shteti ndaj parlamentit, mund të mbajnë pushtetin e tyre.

Pra, kjo është situata. Pasi ka vendosur në pushtet të plotë të gjithë administratën, pasi ka krijuar drejtësinë më të kontrolluar në historinë e vendit me ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit, me gjykatës dhe prokurorë që veprojnë si grupe të strukturuara kriminale brenda organeve të drejtësisë, së fundmi u vërsul kundër parlamentit.

I mori kompetencat kushtetuese, de facto i mori Shqipërisë sovranitetin e brendshëm, sovranitet që ushtrohet nga qytetarët përmes përfaqësuesve të tyre.

Ne jetojmë sot në një parlament të pushtuar, ku ministrat kanë dhjetëfishuar badigardët, ku gjykatësit dhe prokurorët kanë dhjetëfishuar badigardët. Ku çdo gjë mund të jetë, po vetëm parlament nuk është ky”-tha ai.

Tension para fillimit të seancës/ Garda përplaset me deputetët që mbështesin Berishën: Keni flakadanë

Deputetë të opozitës, të cilët mbështesin Sali Berishën, janë konfrontuar me Gardën e Republikës, para hyrjes në sallën e Kuvendit, ku do të zhvillohet seanca plenare.

Flamur Noka, Albana Vokshi, Gazment Bardhi e disa të tjerë kanë krijuar tension pa hyrë ende në sallë.

Ata nuk kanë pranuar që të kontrollohen nga gardistët, të cilët dyshojnë se deputetët opozitarë kanë flakadanë me vete.

“E çfarë pastaj pastaj? Nuk është armë. Lëre të hyjë”, është dëgjuar t’u thotë Bardhi gardistëve.

Këtë të hënë, në Kuvend do të zhvillohet seanca për çështjet e zgjedhësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat