Banka e Shqipërisë paralajmëron kredimarrësit dhe depozituesit e parave në Euro: Nga 1 gushti 2024 treguesi TRIBOR nuk do të funksionojë më

Shqipëria

Banka e Shqipërisë paralajmëron kredimarrësit dhe depozituesit e parave në Euro: Nga 1 gushti 2024 treguesi TRIBOR nuk do të funksionojë më

Më: 9 janar 2024 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave TRIBID/TRIBOR nga data 1 gusht i vitit 2024.

TRIBID/TRIBOR, një tregues mbi të cilin llogaritet interesi për të gjithë ata persona që kanë marrë kredi apo depozituar para në monedhën euro, nuk do të funksionojë më. Banka e Shqipërisë argumenton se shkak për marrjen e vendimit është sepse këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.

Ndryshimi i miratuar do të sjellë efekte mbi kontratat aktuale të kredive, të cilat janë nënshkruar duke e bazuar llogaritjen e normës së interesit në normën TRIBOR. Norma e interesit të kontratës së kredisë është një ndër kushtet thelbësore të kontratës, të dakordësuara në marrëdhënien kontraktuale dhe në rast ndryshimi të saj, nevojitet miratimi i palëve.

Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, bankat tregtare kanë filluar njoftimin e klientëve të tyre, të cilët preken nga ky ndryshim për kontratat ekzistuese të kredive, të çmuara me normën TRIBOR.

Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që vijnë nga bankat tregtare për ndryshimet në kontratën e tyre të kredisë, veçanërisht nëse kjo e fundit është vlerësuar me normën e interesit TRIBOR.

Për çdo rast, i inkurajojmë qytetarët të lexojnë me vëmendje kontratën e kredisë për të vlerësuar nëse preken nga ky ndryshim ose t’i drejtohen bankës së tyre tregtare për të marrë më shumë informacion, nëse është i nevojshëm zbatimi i ndryshimeve në kontratën e tyre të kredisë, bazuar mbi normën e përdorur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat