“I mbyllën gojën” në parlament, Begaj jep mesazhin nga Presidenca: Kuvendi ka nevojë për opozitën

Shqipëria

“I mbyllën gojën” në parlament, Begaj jep mesazhin nga Presidenca: Kuvendi ka nevojë për opozitën

Më: 15 janar 2024 Në ora: 19:12
Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj caktoi një dalje për mediat nga Presidenca për të dhënë mesazhin e tij për çeljen e sesionit parlamentar, pasi nuk u lejua nga “Rithemelimi” të flasë gjatë seancës plenare.

Për shkak të mënyrës si u mbyll Kuvendi vitin e kaluar, Presidenti u shpreh se kishte zgjedhur që mesazhin këtë herë ta jepte drejtpërdrejtë me deputetët, por diçka e tillë nuk iu lejua.

“Çelja e punimeve të sesionit të ri të Kuvendit, ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë. Me dashurinë për Shqipërinë, me respektin për qytetarët të cilët ju kanë zgjedhur, me përgjegjësinë madhore që mbart detyra e përfaqësimit, ju deputetë mund dhe duhet të gjeni gjuhën e përbashkët dhe të krijoni një atmosferë ku mbizotëron dialogu, interesi publik dhe interesi kombëtar”.

Kuvendi duhet të jetë tempulli i shpalosjes së vlerave më të mira të shoqërisë tonë, shtoi Begaj.

“Kuvendi është vendi ku zhvillohet dialogu parlamentar, ku ka shkëmbim të ideve dhe diskutime konstruktive mes pozitës dhe opozitës. Kuvendi është hapësira e debateve  ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentet e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Në Kuvend duhet kultivuar demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen”.

Presidenti theksoi se deputetët dhe klasa politike mund të gjejnë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv.

“Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja  janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më.

Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të ri-orientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë stategjik SHBA. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur“.

Kreu i shtetit u ndal edhe te reforma në drejtësi.

Shpreh gjithë mbështetjen time  për reformën në drejtësi dhe ftoj të gjithë aktorët të gjejnë forcën dhe kurajon për të kryer misionin për ta bërë Shqipërinë një shtet të së drejtës, duke luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin. Qytetarët shqiptarë presin një parlament aktiv që mban të përgjegjshëm ekzekutivin nëpërmjet kërkesës së vazhdueshme  për transparencë dhe llogaridhënie.

Këto nuk janë kërkesa të veçanta, janë ato që qytetarët presin në demokracitë funksionale, duke mundësuar që institucionet të jenë shërbestarët e tyre. Unë jam i bindur, se mundësitë dhe kapacitetet që dispononi përmbushin nevojën për t’u dalë zot fateve të një vendi që ka dëshmuar se në 30 vitet e fundit zotëron një energji të pashtershme për transformim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat