Ushtria merr në dorë helikopterët amerikanë “Black Hawk”, SHBA premton se do të rrisë mbështetjen për mbrojtjen shqiptare

Shqipëria

Ushtria merr në dorë helikopterët amerikanë “Black Hawk”, SHBA premton se do të rrisë mbështetjen për mbrojtjen shqiptare

Më: 17 janar 2024 Në ora: 08:51
Black Hawk

Ngrihen nga pista UH-60 Black Hawk. Dy helikopterët amerikanë që cilësohen si më të mirët në botë u ulën sot (16 janar) në bazën ajrore të Farkës. I Ngarkuari me Punë në ambasadën e SHBA-së David Wisner iu bashkua dje Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefit të Shtabit Gjeneralmajor Arben Kingji, Shefit të Forcave Ajrore Gjeneral Brigade Ferdinant Dimo për t’i parë nga afër, ndërsa premtoi mbështetje.

“Shqipëria prezanton helikopterët e rinj UH-60 Black Haëk: I Ngarkuari me Punë David Wisner iu bashkua Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefit të Shtabit Gjeneralmajor Arben Kingji, Shefit të Forcave Ajrore Gjeneral Brigade Ferdinant Dimo dhe pilotëve dhe mekanikëve të përkushtuar të Forcave të Armatosura Shqiptare për mbërritjen e dy helikopterëve të teknologjisë së fundit të Shqipërisë UH-60 Black Hawk.

Helikopterët do t'i mundësojnë ushtrisë të kryejë evakuime mjekësore, misione kërkim-shpëtimi, si dhe të luftojë zjarret në pyje dhe të sigurojë mbështetje për operacionet e NATO-s. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe mirëpresin shtimin e helikopterëve të rinj Black Hawk në Forcat e Armatosura të Shqipërisë!”, njoftoi dje ambasada e SHBA në Tiranë në rrjetet sociale.

Vetë diplomati David Wisner dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi hynë në kabinën e helikopterit për të parë nga afër teknologjinë e fundit që ofrohet. Peleshi në postimin e bërë në rrjetet sociale duke publikuar foto nga inspektimi në bazën ajrore të Farkës, shprehu edhe mirënjohje ndaj SHBA-ve për paketën e plotë të mbështetjes, ku përfshihet mirëmbajtja e helikopterëve ‘Black Hawk’  që mbërritën në Shqipëri më 13 janar por edhe trajnimi i pilotëve.

“Dy helikopterët Black Hawk, që ju shtuan flotës sonë ajrore, pjesë e kapaciteteve tona më të rëndësishme operacionale në raport me NATO-n dhe operacione të tjera kombëtare dhe të mbrojtjes civile. Mirënjohës partnerit tonë strategjik, SHBA për këtë paketë të plotë mbështetjeje, ku përfshihet edhe mirëmbajtja apo trajnimi i pilotëve tanë! Vijojmë së bashku modernizimin e Forcave të Armatosura!”, shkroi dje  Peleshi.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama e cilësoi si një investim shumë të rëndësishëm që do të ndihmojë në modernizimin e forcave ajrore të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat