Deputetja u përplas ashpër me Bardhin dhe Nokën në Kuvend, organizatat e të drejtave të njeriut dënojnë dhunën ndaj Açkës

Shqipëria

Deputetja u përplas ashpër me Bardhin dhe Nokën në Kuvend, organizatat e të drejtave të njeriut dënojnë dhunën ndaj Açkës

Më: 18 janar 2024 Në ora: 16:47
Foto ilustrim

Organizatat e shoqërisë civile dënuan të enjten sjelljen e deputetëve demokratë, Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka ndaj koleges së tyre, Flutura Açka gjatë një konflikti në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Median.

Në një deklaratë të përbashkët të 17 organizatave që punojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të grave thuhet se “gjuha denigruese, fjalori i vrazhdë, përdhosja e figurës së grave në politikë është dhunë e ushtruar ndaj tyre dhe përbën diskriminim për shkak të gjinisë dhe funksionit politik”.

“Ne dënojmë ashpër veprimet e dhunshme dhe gjuhën dhe dhunën e përdorur nga ana e politikanëve apo funksionarëve publikë ndaj vajzave dhe grave,” thekson deklarata e organizatave.

Deputetët Bardhi dhe Noka tentuan të mërkurën që të bllokonin Açkën që të drejtonte mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ajo është kryetare, me pretendimin se ajo nuk iu bind një vendimi të grupit parlamentar për të mos marrë pjesë në jetën parlamentare të rregull deri sa PS të miratojë kërkesat e PD-së për komisionet hetimore.

Përveç akuzave se po “tradhëtonte votat e demokratëve” duke i shërbyer qeverisjes, ata i shkulën me forcë mikrofonin koleges së tyre, duke e detyruar që të anulonte mbledhjen.

Sipas organizatave, dhuna ndaj grave në të gjitha sferat duke përfshirë edhe atë të politikës ka për qëllim të sprapsë dhe të frenojë reagimin dhe vullnetin, jo vetëm të vajzave dhe grave në jetën publike, por edhe të të gjitha vajzave dhe grave në vend duke e tejçuar këtë qëllim si mesazh për publikun e gjerë”.

Edhe Aleanca e Grave Parlamentare doli të enjten me një deklaratë për rastin ku “dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin” e ushtruar ndaj kryetares së komisionit të Medias.

“Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune”- thuhet në deklaratë.

Pas incidentit, Açka e cilësoi “shfaqje jo shumë të hijshme” përplasjen me kolegët e saj dhe deklaroi se ajo me qëndrimin e saj politik po i shërbente funksionimit të parlamentit për të thënë fjalën e saj si deputete opozitare.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cilësoi ngjarjen “të rëndë” dhe dënoi atë që ajo e quajti sjelljen e deputetëve të PD-së. “Dhuna e ushtruar prej deputetëve Bardhi dhe Noka i kaloi caqet e dhunës verbale” – thuhej në reagimin e Nikollës të mërkurën.

Ndërkohë një grup deputetësh të PS-së kanë kërkuar përjashtimin e tyre nga parlamenti, kërkesë që pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Etikës.

Bardhi shprehu keqardhjen për debatin e panevojshëm, por këmbënguli se debati me Açkën ishte vetëm politik e nuk kishte dhunë verbale.

“Bëj pjesë në kategorinë e politikanëve që mirëpres çdo kritikë mbi sjelljen apo veprimet e mia,” i tha ai BIRN-it, duke komentuar deklaratën e organizatave të shoqërisë civile, por shtoi se, “nuk ka patur asnjë dhunë verbale, përveç një debati politik që ndodh shpesh nëpër mbledhje apo seanca”.

“T’i kërkosh një kolegie/kolegu të mandatuar nga populli opozitar që “të mos i shërbejë Edi Ramës”, duke u bërë fasadë e një normaliteti të rremë në Kuvendin e Shqipërisë, qenka fyerje dhe dhunë verbale? Jo!” shtoi më tej Bardhi.

Deputetët e PD-së janë të ndarë në mënyrën e të bërit opozitë, ku grupimi më i madh i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha po proteston prej disa muajsh duke tentuar bllokimin e punës parlamentare, ndërsa deputetët që drejtohen nga Lulzim Basha e kanë kundërshtuar këtë aksion opozitar./BIRN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat