Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, nis fushata edhe për vajzat 14-20 vjeçe

Shqipëria

Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, nis fushata edhe për vajzat 14-20 vjeçe

Më: 23 janar 2024 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Vaksina kundër Human Papailloma Virus, që mbron vajzat dhe gratë nga kanceri i qafës së mitrës, nuk do të jetë më vetëm për vajzat 13-vjeçare.

Nisur nga interesi i lartë, Instituti i Shëndetit Publik ka vendosur që mundësia për t’u vaksinuar t’ju jepet dhe vajzave më të rritura.

“Paralelisht me vajzat që janë 13 vjeçe po fillojmë dhe një fushatë vaksinimi që ka nisur dje, për të gjitha vajzat 14 deri në 20 vjeçe. Aplikohet vaksina e merkurit, gardaziel, 4 valente janë 4 llojet e HPV që momentalisht i kemi në qarkullim”, thotë Rovena Daja, koordinatore e programit të vaksinimit, ISHP.

Tashmë udhëzimi i ri së bashku me dozat e vaksinës janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Do të jenë vaksinatoret e çdo qendre që do të njoftojnë vajzat për paraqitjen.

“Çdo vaksinatore po shikon në regjistrat e saj të gjitha vajzat 14-20 vjeçe të cilat do të thirren në mënyrë të organizuar gjatë gjithë vitit 2024. Do fillojnë gradualisht të kryhet vaksinimi, do të fillohet me ato që janë 14, më pas me 15 , 16 e në vazhdim, shpërndarja e vaksinave ka nisur që dje në të gjithë vendin”, shprehet Daja.

Të dhënat paraprake të Instituti të Shëndetit Publik flasin për aplikim masiv të kësaj vaksine tek vajzat 13-vjeçare.

Duke ju referuar të dhënave të shteteve të tjera, ekspertët presin që në 10 vitet e ardhshme Shqipëria të njohë ulje të rasteve me kancer në qafën e mitrës.

“Shumë vende kanë mbi 10 vjet që e kanë përdorur, ku kanë parë ulje të konsiderueshme të rasteve dhe sidomos nuk ka pasur vajza të vaksinuar që kanë qenë pozitive, më vonë me kancer të qafës së mitrës, ndaj e rekomandojmë bërjen e kësaj vaksine që është e detyruar për vajzat 13 vjeçe”, thotë mjekja.

Aplikimi i vaksinës kundër Human Papilloma Virusit në Shqipëri ka nisur prej nëntorit të vitit 2022. Ajo tashmë është një ndër vaksinat e detyruara në kalendarin e vaksinimit për Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat