​Shqipëri: Sekuestrohen dy mina me telekomandë, një kallashnikov e municion luftarak

Shqipëria

​Shqipëri: Sekuestrohen dy mina me telekomandë, një kallashnikov e municion luftarak

Më: 24 janar 2024 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Policia e Shtetit në Rrëshen ka arrestuar shtetasin shqiptar M.Gj. (28), banues në Qafë Unazë - njësia administrative Rubik, Mirditë, rezident në Malin e Zi, për transportim të minave dhe mbajtje armësh e municion luftarak.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Safe City”. Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit në çantën e shpinës së 28-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të kryer në banesën e këtij shtetasi, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dy minat me telekomandë, 28-vjeçari i ka siguruar në Malin e Zi, ku ishte i punësuar.

Në bashkëpunim me prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat