Operacioni ndërkombëtar anti-drogë ku u arrestuan dhe shqiptarë, reagon Balla: U gjetën dhe u vunë para drejtësisë anëtarët e një grupi kriminal

Shqipëria

Operacioni ndërkombëtar anti-drogë ku u arrestuan dhe shqiptarë, reagon Balla: U gjetën dhe u vunë para drejtësisë anëtarët e një grupi kriminal

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 15:59
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me operacionin ndërkombëtar ‘Muratori’ që vuri pas hekurave dhjetëra anëtarë të një organizate kriminale të trafikut të drogës.

Balla shkruan se është përmbyllur me sukses të plotë në gjetjen anëtarëve të një grupi kriminal dhe vendosjen e tyre para drejtësisë, ndërsa përgëzon strukturat e policisë së shtetit duke thënë se kanë vendosur në një nivel të rëndësishëm besimi dhe bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese partnere.

“Një tjetër operacion ndërkombëtar; Interpol, Europol, Eurojust, agjenci ligjzbatuese nga disa vende europiane, me pjesëmarrjen efikase të SPAK dhe Policisë së Shtetit është përmbyllur me sukses të plotë në gjetjen anëtarëve të një grupi kriminal dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Përgëzime strukturave të Policisë së Shtetit në vendosjen e një niveli të ri të rëndësishëm besimi dhe bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese partnere”, shkruan Balla.

Operacioni ‘Muratori’ është zhvilluar me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it ku u arrestuan 67 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali.

Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.

Ky operacion çoi në sekuestrimin e një sasie narkotikësh me vlerë prej 2.7 milionë eurosh dhe sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro.

Në Shqipëri janë sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.

SPAK  bëri me dije se dy oficerë të Europolit u vendosën në Shqipëri dhe Itali gjatë ditës së operacionit për të mbështetur autoritetet kombëtare me masat e tyre hetimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat