Blinken, javën e ardhshme në Tiranë, DASH: Shqipëria partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria

Blinken, javën e ardhshme në Tiranë, DASH: Shqipëria partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 17:31
Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas njoftimit, Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleate e fuqishme në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”.

Kjo vizitë ka për synim që të riafrimojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

Në Gjermani, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, bëri të ditur DASH-i. Në këtë konferencë, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga nënpresidentja amerikane Kamala Harris.

Sipas DASH-it, Blinken në Gjermani do të zhvillojë takime dypalëshe për të theksuar mbështetjen e SHBA-së për ukrainasit, “do të vazhdojë diskutimet me partnerët se si mund të arrihet një paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme” dhe për “përkushtimin e palëkundur” të Uashingtonit ndaj sigurisë transatlantike.

Pjesëmarrja e Blinkenit në Konferencën e Munihut, bëhet pasi ai përfundoi turneun e pestë në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të shtyrë përpara një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në muajin e pestë dhe është konflikti më vdekjeprurës që palët kanë zhvilluar deri më tani. Si pasojë e sulmeve të Hamasit më 7 tetor, në Izrael u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Nga ofensiva izraelite, që po vazhdon, në Gazë janë vrarë mbi 27.000 persona.

Përveç luftës në Gazë, komuniteti ndërkombëtar po vazhdon të mbështesë Ukrainën, e cila që nga shkurti i viti 2022 po përballet me luftën e paprovokuar të nisur nga Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat