Gjyqi ndaj Nexhmije Hoxhës! Zbardhet dosja e dënimit të gruas së ish-diktatorit: T’i kthejë shtetit pasuritë shtetërore!

Shqipëria

Gjyqi ndaj Nexhmije Hoxhës! Zbardhet dosja e dënimit të gruas së ish-diktatorit: T’i kthejë shtetit pasuritë shtetërore!

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 14:35
Nexhmije Hoxha në gjyq

Në vitet 1993-1996, u zhvilluan në Tiranë gjyqet më të rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare. Drejtuesit më të lartë regjimit komunist, njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri për gjysmë shekulli, u gjykuan dhe dënuan për krime të kryera ndaj popullit të tyre, të cilin e sunduan përmes dhunës dhe terrorit.

Botimi i proceseve të plota gjyqësore bëhet nga “Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë” në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, përgatitur për botim nga Çelo Hoxha, Jonila Godole dhe Kastriot Dervishi.

Gjyqi u zhvillua për gjithsej 35 persona. Mes personave që u dënuan ishin: Kryetari i PPSH-së, Ramiz Alia, personi që zëvendësoi Enver Hoxhën më 1985 në krye të partisë, por kishte mbajtur funksione drejtuese prej vitit 1944; e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila kishte qenë për një kohë të gjatë kryetare e Frontit Demokratik, organizata më e pushtetshme pas PPSH-së; kryeministri dhe ministrat e brendshëm të kohës, të mbetur ende gjallë; anëtarë të Byrosë Politike, organi më i lartë i KQ të PPSH-së, ministra, zëvendësministra, gjykatës e prokurorë, si dhe zyrtarë të niveleve të tjera të larta.

Ato njihen gjerësisht si “Gjyqet e kafeve”, ku nomenklatura u dënua për abuzime të vogla dhe jo për krime politike. Dokumentet e përfshira në këtë libër e dëshmojnë këtë, por tregojnë edhe përpjekjet e drejtësisë së re për t’i dënuar përgjegjësit e diktaturës.

Ky botim është jo vetëm një dokumentim i ngjarjeve, por edhe një kontribut për diskutim dhe reflektim mbi drejtësinë tranzicionale në kontekstin e Shqipërisë. Në të ardhmen, rishikimi i këtyre proceseve dhe mësimet e nxjerra prej tyre mund të ndihmojnë në forcimin e sistemit gjyqësor dhe në konsolidimin e një shoqërie më të drejtë dhe transparente në Shqipëri.

GJYQI I NEXHMIJES DHE KINO BUXHELIT

SKEDË PËRMBLEDHËSE

Titulli i vendimit nr. 709 i Regjistrit Themeltar / Vendimi nr.16

Trupi gjykues, kryetar Seance: Muharrem Kushi, Maksim Shuaipi, Uk Cena

Prokurori: Teodor Mosko

Të pandehurit (3): Nexhmije Tefik Xhuglini, Kino Dalan Buxheli

Avokatë: Dhimitër Beshiri, Përparim Sanxhaku

Dëshmitarë: Më shumë se 45

9 seanca në datat: 8, 9, 11, 12, 13, 14, 21, 26 dhe 27 janar1993

Akuza: Përvetësim i pasurive shtetërore në përpjesëtim të madh dhe në bashkëpunim.

Vendimi

Deklarimi fajtore në bazë të neneve 62, 31/D të Kodit Penal i të pandehurës Nexhmije Hoxha për përvetësimin e pasurive shtetërore në përpjesëtim të madh. Deklarim fajtor i të pandehurit Kino Buxheli për shpërdorim detyre. Rrethana rënduese: Pozicioni në detyra të rëndësishme shtetërore dhe shoqërore. Rrethana lehtësuese: Mosha dhe gjendja shëndetësore.

Ndikimi në një farë mase edhe nga parregullsitë e lejuara nga personeli i shërbimit dhe drejtuesit e Drejtorisë së Pritjes.

Dënimi

U dënua fillimisht me 9 vite heqje lirie (N. Hoxha), (Tiranë më 27.1.1993). U lirua nga akuza e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal. Detyrohej të kthente 29.490 lekë.

Duhej t’i kthente shtetit 3 copë shallë zadrimorë, etj. U ndryshua me vendimin nr. 63, datë 17.5.1993 të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke kërkuar kthimin e shumës 549030 lekë, duke e dënuar me 11 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr. 149, datë 26.8.1993 të Gjykatës së Kasacionit.

Ankim kundër vendimit: Nuk ka Ulja e dënimit nga 11 vite dënim, Nexhmije Hoxha kreu 5vite e 37 ditë falë amnistisë dhe faljes së të burgosurve.

Lirimi i Nexhmije Hoxhës, 10 janar 1997

Gjyqet ndaj nomenklaturës komuniste, 1993-1996

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E RRETHIT TIRANË

NR. 709 I REGJ. THEMELT. NR. 16 I VENDIMIT

V E N D I M

“NË EMËR TË POPULLIT”

Gjykata e Rrethit Tiranë e përbërë prej:

Muharrem Kushi, zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit

Maksim Shuaipi, ndihmësgjyqtar

Uk Cena, ndihmësgjyqtar

Të asistuar nga sekretarët Flutura Kadiu dhe Valentina Papi me pjesëmarrjen e prokurorit Teodor Mosko, me datat 8, 9, 11, 12, 13, 14, 21, 26 dhe 27.1.1993, shqyrtoi me dyer të hapura çështjen penale me nr. 709 që u përket të pandehurve:

1. NEXHMIJE HOXHA, e bija e Tefikut dhe e Naxhijes, e ditëlindjes 1921, lindur në Manastir dhe banuese në Tiranë, e padënuar, e arrestuar më 4.12.1991, mbrojtur në gjyq nga avokati Dhimitër Beshiri.

AKUZUAR: Se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 746,192 lekë dhe atë të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 121,738 lekë, nga të cilat 89,822 lekë në bashkëpunim me të pandehurin Kino Buxheli, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 62, 106 e 13 të Kodit Penal.

Gjykata, pasi dëgjoi të pandehurit, dëshmitarët, ekspertët, kontabël, administroi provat shkresore dhe pasi dëgjoi prokurorin e seancës gjyqësore, i cili kërkoi:

1. Të deklarohet fajtore e pandehura Nexhmije Hoxha për krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjestime të mëdha në vlerën 752,623 lekë dhe në bazë të nenit 62 të Kodit Penal të dënohet me 14 vjet heqje lirie.

Detyrimi i së pandehurës të dëmshpërblejë shtetin në shumën 752,623 lekë. Për pjesën tjetër të dëmit t’i njihet personit juridik të dëmtuar e drejta e shpërblimit të dëmit dhe t’i dërgohet çështja për shqyrtim Gjykatës Civile. Në fazën e ekzekutimit, t’i zbritet vlera e dhuratave provë materiale.

VËREN

E pandehura Nexhmije Hoxha gjatë periudhës 1986-1990 ka qenë e zgjedhur në funksione të rëndësishme partiake dhe shtetërore si anëtare e K.Q. të Partisë së Punës, deputete e Kuvendit Popullor, kryetare e F.D. të Shqipërisë dhe, për një kohë të gjatë, drejtoreshë e Institutit të Studimeve M.L. pranë K.Q. të Partisë së Punës.

I pandehuri Kino Buxheli në prill të vitit 1986 është emëruar me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, e cila ka pasuar për objekt të punës së saj plotësimin e kushteve të jetesës së ish-personaliteteve të larta të partisë dhe shtetit në periudhën e sistemit njëpartiak. Të dy të pandehurit, organi i Prokurorisë i Rrethit të Tiranës, i ka dërguar përgjykim të akuzuar: se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët është veçuar çështja penale, kanë kryer veprat penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjestime të mëdha, si dhe atë të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm të rëndësishëm ekonomik, parashikuar respektivisht nenet 62, 106 dhe 13 të Kodit Penal.

Konkretisht, e pandehura Nexhmije Hoxha akuzohet për përvetësim të pasurisë shtetërore, se ajo gjatë periudhës 1986- 1990, ka shtruar dreka e darka, pritje-koktej për persona të ndryshëm në vlerën 506,704 lekë (12,158 persona janë pritur për dreka e darka me kuotë 35 lekë secili dhe 21,662 persona me kuotë 3 lekë).

Dreka dhe darka, sipas aktakuzës, janë shtruar prej saj edhe në rrethe të ndryshme të vendit. E pandehura akuzohet se ka shpenzuar 25,553 lekë, që kanë të bëjnë me kuotën ditore 3 lekë, e shpenzuar prej saj dhe personave që sipas rastit e kanë shoqëruar; 6,439 lekë që përfshijnë 3,2 lekë në ditë të papaguar për periudhën e pushimeve; për shumën 143,290 lekë që përfaqëson diferencën në çmim të mallrave të blera me valutë në dorë; 25,051 lekë të shpenzuara për dhuratat që u ka shpënë mjekëve në dy raste kur ka dalë për kurim jashtë shtetit në vitet 1986 dhe 1987, dhe 52,160 lekë që është vlera e barnave mjekësore të përdorura prej saj dhe pjesëtarëve të familjes. Pra, akuzohet se ka përfituar shumën 746,192 lekë.

Gjithashtu, e pandehura Nexhmije akuzohet edhe për krimin e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm të rëndësishëm që kap vlerën prej 121,738 lekë. Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se e pandehura Nexhmije Hoxha krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore e ka kryer, por jo në atë shumë që akuzohet nga organi i Prokurorisë.

GJYQET NDAJ NOMENKLATURËS KOMUNISTE, 1993-1996

Për pritjet, drekat dhe darkat, e pandehura Nexhmije, sikur doli dhe gjatë gjykimit, ka qenë e udhëzuar të presë individë dhe delegacione të ndryshme, përkatësisht me funksionet dhe detyrat që ka pasuar edhe si bashkëshorte e Enver Hoxhës.

Kjo veprimtari është thelluar fill pas vdekjes së Enver Hoxhës si në raste përvjetorësh, ngjarje historike etj. Për realizimin e këtyre pritjeve, personeli i shërbimit mbi bazë të porosive të dhëna nga e pandehura Nexhmije, sipas rastit ka përgatitur dreka, darka, pritje-koktej e të thjeshta, dhe për çdo muaj, mbi bazë të përllogaritjeve të bëra, këto shpenzime janë përballuar nga shteti.

Në këto raste, e pandehura Nexhmije, këto veprime nga ana subjektive nuk i ka kryer për të realizuar përfitime pasurore për veten dhe as për persona të tjerë, por se asaj i është bërë e ditur, sikundër doli gjatë gjykimit, nga personalitete të larta partiake shtetërore,se trajtimi i familjes së saj do të bëhej sikundër ishte bërë edhe më parë.

Në lidhje me nxjerrjen e akteve partiake apo shtetërore, të cilat efektivisht nuk kanë datë, e që nëpërmjet tyre do të gjente rregullim kjo veprimtari, ishte detyrë e organeve partiake apo shtetërore dhe jo e të pandehurës. Kjo e fundit nuk ka patur asnjë detyrim ligjor për të ditur nëse këto akte kishin dalë nga organet kompetente apo jo.

Por e pandehura Nexhmije Hoxha për këtë episod duhet të përgjigjet vetëm për drekat dhe darkat e shtruara për vitin e ri, siç janë: më 1 janar 1986 për 15 persona; më 31 dhjetor 1986 për 26 persona; më 1 janar 1987 për 18 persona; më 31 dhjetor 1987 për 24 persona; më 1 janar 1988 për 15 persona; më 31 dhjetor 1988 për 21 persona; më 1 janar 1989 për 18 persona dhe më 31 dhjetor 1989 për 27 persona, duke shpenzuar në këto raste shumën 5,740 lekë e llogaritur kjo me kuotën 35 lekë për person dhe që janë përballuar nga shteti. Po kështu, ajo duhet të përgjigjet edhe për pritjen e të afërmve të saj nga Turqia, ku pjesëmarrës kanë qenë pjesëtarët e familjes dhe të afërmit e saj, dhe shuma 1,505 lekë është përballuar nga shteti.

E pandehura Nexhmije do të përgjigjet për përvetësim të pasurisë shtetërore për këto dreka dhe darka të shtruara prej saj, sepse si kryefamiljare ishte e detyruar të kryente për llogaritjet mujore të shpenzimeve që përballoheshin nga shteti dhe ato nga familja, pse mbi bazë të porosive që ajo i bënte personelit të shërbimit realizoheshin këto pritje.

Pra, përderisa nuk provohet marrëveshja për përvetësim midis të pandehurës Nexhmije dhe personelit të shërbimit për darkat dhe drekat e përmendura më lart, për të cilat është bërë shënimi “dreka e darka zyrtare”, gjykata sjell bindjen se për episode të përmendura më lart, në dokumente janë pasqyruar të dhëna të rreme dhe e pandehura Nexhmije me veprime konkludente ka pranuar të realizojë përfitime pasurore.

Dëshmitarët e pyetur gjatë gjykimit, për këto episode sqaruan se për rastet e vitit të ri nuk janë bërë pritje zyrtare, vetëm se janë bërë përgatitje për familjarët.

E pandehura Nexhmije Hoxha duhet të përgjigjet për përvetësim të pasurisë shtetërore edhe për episodin e dhuratave që ajo u ka bërë mjekëve kur ka shkuar për kurim jashtë shtetit, të cilat sipas fletëdaljes kapin vlerën 25,051 lekë.

Në të vërtetë, këto mallra të marra nga e pandehura janë shpenzuar prej saj, në një kohë që kjo e drejtë nuk i takonte, dhe për më tepër, do të përgjigjet për këto dhurata, sepse të tretëve ua ka dhënë në emër dhe për llogari të saj dhe jo të shtetit.

Për diferencat në çmimet e mallrave të blera me valutë në dorë (në 40 raste), që kapin shumën 143,290 lekë, e pandehura Nexhmije nuk duhet të përgjigjet penalisht, pse çmimi i mallrave është vendosur nga specialistë kompetentë, të cilët nuk kanë qenë nën influencën dhe nën ndikimin e saj. Siç shpjeguan këta specialistë, të thirrur me cilësinë e dëshmitarëve, çmimet e mallrave janë vendosur në bazë të manualit të çmimeve të asaj periudhe. Në rastse do të rezultonte ndonjë shkelje nga ana e specialistëve, në rastin konkret përsëri do të ndodheshim përpara detyrimit civil, por jo para përgjegjësisë penale.

Është i vërtetë fakti që e pandehura Nexhmije për periudhën 1986-1990 ka marrë barna mjekësore falas, por një gjë e tillë ka qenë parashikuar në rregulloren e ish-Klinikës Speciale, të miratuar nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe në fakt kështu është vepruar për të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ndonëse ata në bazë të vendimit të Byrosë Politike nr. 1, të vitit 1983, nuk e gëzuan këtë të drejtë.

Pra, e pandehura Nexhmije, në rastin e dhënë, nga ana subjektive nuk ka dashur të përvetësojë pasurinë shtetërore, por ka ditur se realizonte një të drejtë që asaj i takonte, sikundër kanë vepruar edhe të tjerët.

Në lidhje me faktin tjetër, siç përmendet edhe në aktakuzë, se barna falas kanë marrë edhe pjesëtarët e familjes së saj, gjykata me provat e administruara nuk arriti në përfundimin që ka arritur organi i prokurorisë. Jo vetëm se në ish-Klinikën Speciale janë gjetur receta në emër të pjesëtarëve të familjes së të pandehurës, ku rezulton se barnat janë blerë me lekë në dorë, por thëniet e dëshmitarëve mbi të cilët mbështetet akuza, për këtë episod, gjykata nuk i merr të besueshme.

Dëshmitarja Drita Andoni për t’i shpëtuar përgjegjësisë së saj, pse ka qenë kjo e ngarkuar me përgjegjësi materiale, mundohet që të fajësojë të pandehurën Nexhmije, në një kohë që siç doli gjatë gjykimit, ajo dhe mjeku Isuf Kalo kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme e haptazi të kundërligjshme barna nga farmacia që ndodhej në ambientet ku banonte e pandehura dhe i kanë shpënë dhe përdorur në pavionin ku drejtonte mjeku I. Kalo.

Në lidhje me këtë veprimtari, gjatë gjykimit hodhi dritë dëshmitari Ilir Koxheri, i cili paraqiti edhe një fletore personale, në të cilën janë shënuar disa nga rastet që ai kashpënë ilaçe nga farmacia në pavion, duke theksuar se kjo veprimtari ka vazhduar deri në vitin 1990. Pra, duke kaluar barnat nga farmacia në pavion, pa dokument dalje, kjo e fundit efektivisht nuk është shkarkuar dhe rezultati i inventarit ka dalë mbi bazë të fletëhyrjeve dhe shënimeve të bëra për barnat e harxhuara në kartelën klinike të të pandehurës.

Është i vërtetë fakti se deri nga mesi i muajit prill të vitit 1985 nga kjo farmaci janë tërhequr shumë barna mjekësore, por ky veprim është kryer edhe në periudhën e më vonshme dhe ekziston mundësia reale që abuzime të jenë bërë nga personeli i shërbimit mjekësor, siç është dëshmitarja Drita Andoni e ndonjë tjetër.

Përfundimisht, për këtë episod, mbi bazë të shënimeve të bëra në kartelën kliniketë të pandehurës Nexhmije, për periudhën në fjalë, pala e dëmtuar ka të drejtë të kërkojë në rrugë civile kundërvleftën e barnave të harxhuara prej saj.

Edhe për diferencën e papaguar prej 6,439 lekë, për periudhën pushimeve, e pandehura Nexhmije nuk duhet të përgjigjet penalisht. Në të vërtetë, kuota e ushqimit përanëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për periudhën e pushimeve, ka qenë 9.3 lekë, aq sa ka qenë e caktuar nga Bashkimet Profesionale, por me letrën nr. 875/l, datë 16.9.1968 të ish-zv/kryeministrit A. Çarçani për të lartpërmendurit është caktuar kuota 12.5 lekë në ditë.

Si e pandehura Nexhmije dhe gjithë anëtarët dhe kandidatët e KQ të PartisëPunës, diferencën prej 3.2 lekë në ditë nuk e kanë paguar, kjo për faj të drejtuesve të Drejtorisë së Pritjes dhe në të tilla rrethana, e pandehura duhet të detyrohet civilisht të zhdëmtojë shtetin në shumën e mësipërme, por këtë e zgjidh Gjykata Civile. Në lidhje me krimin e shpërdorimit të detyrës, që bënte fjalë për diferencën në inventar dhe vlerën e amortizimit të mallrave që të pandehurës i ishin dhënë në përdorim, prokurori i çështjes hoqi dorë nga akuza për këtë krim, dhe gjykata, për këtë pjesë, detyrimisht duhet të vendosë pushimin e gjykimit.

Pretendimi i ngritur nga e pandehura dhe avokati mbrojtës i saj se për trajtimin e familjes “Hoxha” ka pasur një vendim të veçantë, në të cilin, sipas tyre, përcaktohej se “trajtimi bëhej pa kufizime”, është i padrejtë. Ky pretendim bëhet me qëllim për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, por edhe sikur të kishte një vendim të tillë, të marrë në vitet ’60, sikundër pretendohet, ai do të kishte fuqi derisa qe gjallë E. Hoxha, i cili mbante detyrën e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Pas vdekjes së tij, edhe në ato kushte të sistemit monopartiak, ky vendim normalisht binte nga fuqia, sepse pas vdekjes së Enverit familja nuk duhet t’i gëzonte ato privilegje, të cilat përfitoheshin për shkak të detyrës.

Në rrethanat e përmendura më lart, e pandehura Nexhmije Hoxha do të përgjigjet për krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 32,296 lekë, parashikuar nga neni 62 i Kodit Penal. Në cilësimin juridik të veprës penale mbahet parasysh periudha e kryerjes së saj dhe vlera e monedhës shqiptare.

Fajësia e së pandehurës rezulton e provuar me thëniet e dëshmitarëve, provat shkresore të administruara gjatë gjykimit dhe aktin e ekspertimit kontabël.

Prokurori, si përfaqësues i akuzës, në përfundim të hetimit gjyqësor e kufizoi akuzën dhe konkretisht, për përvetësim të pasurisë shtetërore në shumën 62.170 lekë dhe për shpërdorim të detyrës, pranoi se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 466,036 lekë. Siç doli gjatë gjykimit, në bazë të vendimit nr.39 të vitit 1976 të Byrosë Politike të drejtën për të bërë pritje, dreka, darka, koktej e ka pasur edhe Adil Çarçani, i cili ka qenë i ngarkuar me detyrën e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Për realizimin e këtyre pritjeve, pothuajse është vepruar në të njëjtën mënyrë si veprohej te e pandehura Nexhmije Hoxha, me ndryshimin që për çdo person shpenzohej 25 lekë dhe jo 35 lekë.

Për përllogaritjen e këtyre shpenzimeve nga ana e kuzhinierit Paskal Kostari, i pyetur në gjyq me cilësinë e dëshmitarit, nuk janë mbajtur evidenca ditore dhe as mujore me qëllim që të përcaktohej saktësisht shuma që do të përballohej nga shteti për pritjet e organizuara. Numri i personave të pritur për dreka e darka, pritje koktej e të thjeshta, nuk ështëpasqyruar në evidencat mujore të përpiluara nga kryetarja e degës së financës, dëshmitarja Kaje Tafaj, por për burimin nga janë marrë këto të dhëna, shpjegimet e dëshmitares së mësipërme janë kontradiktore me ato të dëshmitarit Paskal Kostari.

(NEXHMIJA)

Për të pandehurën Nexhmije Hoxha, gjykata mban parasysh se në veprimtarinë e saj kriminale kanë ndikuar në njëfarë mase edhe parregullsitë e lejuara nga personeli i shërbimit dhe i drejtuesit e Drejtorisë së Pritjes. Ka parasysh moshën e saj të thyer dhe gjendjen shëndetësore. Gjithashtu, pozicionin e saj në detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore në periudhën e kryerjes së veprës penale, në vështrim të shkronjës “d” të nenit 31 të Kodit Penal e merr si një rrethanë rënduese.

Për të pandehurën Nexhmije Hoxha, padia civile për shumën e përvetësuar duhet të zgjidhet, duke zbritur nga shuma e përgjithshme e përvetësuar vlerën e mallrave provë materiale të dërguara nga dëshmitari Enver Miloti që është 2.806 lekë. Për detyrimet e tjera të zgjidhen sipas rastit nga Gjykata Civile.

PËR KËTO ARSYE:

Gjykata në bazë të nenit 150 të Kodit të Procedurave Penale,

VENDOSI 1.

Të deklarojë fajtore të pandehurën Nexhmije Hoxha për veprën penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe në bazë të nenit 62, 31/d të Kodi Penal, e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje lirie. Pushimin e gjykimit të çështjes për të pandehurën Nexhmije Hoxha për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 të Kodit Penal, sepse prokurori i çështjes hoqi dorë nga kjo akuzë. Vuajtja e dënimit për të pandehurën Nexhmije Hoxha fillon nga data e arrestimit 4.12.1991.

2. Të deklarojë fajtor të pandehurin Kino Buxheli për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106, 30/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Kino Buxheli fillon nga data e arrestimit 31.8.1991. Detyrimin e të pandehurës Nexhmije Hoxha t’i kthejë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare shumën 29.490 lekë.

Sendet prova materiale: tre copë shalle zadrimor, 4 copë rrugica leshi, dy copë çanta leshi, një tabaka bakri artistike, një komplet bucele prej druri, tre copë llulla druri, një çantë plasmasi dhe një tablo (pikturë) t’i kthehen Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Veçimin e padisë civile në procesin penal, për detyrimin që mund të ekzistojë për të dy të pandehurit dhe zgjidhjen e saj nga gjykata mbi kërkesën e palës së dëmtuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim dhe protestë brenda 5 ditëve, nga dita e tretë e shpalljes së këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit Tiranë. U shpall sot më 27.1.1993.

GJYQTARI

Muharrem Kushi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat