Mbillen 1 mijë pisha, dhuratë e aktivistes austriake për Divjakën: Një vend si ky nuk ka shumë

Shqipëria

Mbillen 1 mijë pisha, dhuratë e aktivistes austriake për Divjakën: Një vend si ky nuk ka shumë

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Mbrojtja dhe kontributi për natyrën ka bërë bashkë guidat turistike shqiptare në Divjakë për mbjelljen e 1 mijë pishave të buta në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, të dhuruara nga aktivistja humaniste austriake, Marianne Grand. 

Të pranishëm ishin dhe vetë zonja Grand dhe ambasadori austriak në Tiranë, Christian Steiner. Për ta Parku Divjakë-Karavasta është një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria dhe kështu duhet të ruajtur.

“Është shumë e rëndësishme për të mbrojtur natyrën dhe është shumë e rëndësishëm edhe për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ambasdor austriak.

Për çështjen e miratimit të ligjit për zonat e mbrojtura zonja Grand tha se resorte ka në tërë botën por bukuri dhe natyrë si Divjaka nuk ka shumë.

“Resorte ka mjaft por një vend kështu nuk ka shumë në botë“, u shpreh ajo.

Udhërrëfyesit e guidave shqiptare janë të shqetësuar për ndërhyrjen në pikat turistike që janë thesare të vendit tonë, siç është rasti i Butrintit.

“Ne duhet sa më shumë të mbrojmë aq çfarë kemi në mënyrë që bota të vazhdojë të vijë sepse është bërë një punë kolosale ndër vite për ta ngritur turizmin në këtë stad që kemi sot”, deklaroi Arben Kola-udhrrefyes Kombëtar.

Operatorët turistikë thonë se në Divjakë nuk ka vetëm turizëm natyror por dhe historik dhe qëllimi është që Divjaka t’i kaloj dhe qytet e tjera si Korça apo Gjirokastra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat