Nënshkruhet marrëveshja për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit nga BERZH, Balluku nga Londra: Gurë themeli për projektet e reja

Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit nga BERZH, Balluku nga Londra: Gurë themeli për projektet e reja

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 18:30
Foto gjatë nënshkrimit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndodhet sot në Londër, ku ka firmosur një marrëveshje me  BERZH për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Balluku e cilësoi këtë marrëveshje si të rëndësishme për Shqipërinë dhe një ditë të shënuar për sektorin energjitik. Sipas ministres, me këtë hap të ri “ne kemi vënë edhe disa gurë themeli për projektet që kemi në të ardhmen”.

Prononcimi i Ballukut, pas nënshkrimit te marrëveshjes për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit

Sot në Londër në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor Shqipëria firmosi një nga marrëveshjet më të rëndësishme, atë të huas përsa i përket ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Por sot ishte një ditë e shënuar edhe për sektorin energjetik, ku në një panel me të gjithë të ftuarit të cilët vinin nga fusha e energjisë, por edhe ministra të rajonit të Ballkanit Perëndimor, u diskutua për të gjithë praktikat më të mira që janë ndjekur ndër vite dhe sigurisht Shqipëria është një nga ato vende e cila merret si shembulli i ekselencës përsa i përket të gjitha ankandeve të energjisë që ne kemi organizuar dhe tre prej tyre tashmë kanë marrë jetë. Ndërkohë që ndamë me të gjithë investitorët, përfaqësuesit e sistemit bankar dhe sigurisht të gjithë partnerët e tjerë të cilët na kanë mbështetur në rrugëtimin tonë, se kush janë planet për të ardhmen.

Sot Shqipëria tek flet për energjinë, tek flet për transportin rrugor, tek flet për zhvillimin në të gjitha fushat ekonomike ka një komponent shumë të rëndësishëm, atë të rritjes së një tregu, që është tregu i turizmit me një numër prej 10 milionë vitin e kaluar, në 2023 numri i vizitorëve dhe që synimi jonë është që të arrijmë mbi 13 milionë në vitin 2024.

Duket qartë nga të dhënat dhe nga shifrat që ne sot ndajmë me opinionin publik sesi po zhvillohet kjo fushë e rëndësishme pra turizmi në Shqipëri. Mbi 652 mijë pasagjerë kanë hyrë vetëm në muajin janar në Rinas, duke e vendosur aeroportin internacional të shqiptarëve në vendin e parë dhe duke lënë pas Beogradin, duke lënë pas Zagrebin, Sofjen dhe shumë vende të tjera jo vetëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por të të gjithë Ballkanit. Dhe të gjitha këto arritje padyshim duhen mbështetur nga sistemi energjetik, kështu që të gjitha investimet janë shumë të rëndësishme në këto momente. Duhen mbështetur nga infrastruktura dhe nga çdo sektor tjetër i cili ka një kontribut të rëndësishëm në sektorin e turizmit që po zhvillohet në këto momente në Shqipëri.

Folëm, gjithashtu gjatë takimit me Presidenten e BERZH-it, për të gjitha planet në të ardhmen. Ata janë të interesuar që të mbështesin edhe zhvillimet dhe investimet në sektorin e ujit dhe të kanalizimeve, por sigurisht edhe në transportin e gjelbërt, si një nga alternativat më të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë pasi të gjitha emetimet e dioksidit të karbonit në vendin tonë vijnë vetëm nga transporti rrugor.

Kështu, duke folur me një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, me BERZH, për planet e së ardhmes mund të themi, që sot përveç firmosjes së kësaj huaje kaq të rëndësishme për linjën e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, ne kemi vënë edhe disa gurë themeli për projektet që kemi në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat