Lufta e komunizmit kundër fesë mbylli institucionet fetare, si ranë dakord Ramiz Alia, Adil Çarçani në 1976 për nxitjen e dhunës

Shqipëria

Lufta e komunizmit kundër fesë mbylli institucionet fetare, si ranë dakord Ramiz Alia, Adil Çarçani në 1976 për nxitjen e dhunës

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Gjyqi më voluminoz i fillimeve të demokracisë ka qenë ai ndaj 10 ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, përfshi ish-Presidentin Ramiz Alia, ish-kryeministrin Adil Çarçani.

Në botimin nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste 1993-1996” publikohet vendimi i plotë ku ndër të tjera tregohet sesi në vitin 1967 pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu e Rita Marko, kanë pranuar dhe rënë dakort për nxitjen e dhunimit të fesë dhe lirisë së besimit fetar.

Fillimisht shtypja e fesë u arrit në Durrës dhe më pas në të gjitha rrethet e vendit, ku dhe u persekutuan të gjithë personalitet e institucioneve fetare.

Në Kushtetutën e vitit 1950, në nenin 18 të saj thuhet: “Të gjithë shtetasve u  garantohet liria e ndërgjegjes dhe e besimit, komunitetet fetare janë të lira në çështjet e tyre të besimit, si dhe në ushtrimin dhe praktikimin e jashtëm të tyre”. Me akte nënligjore të nxjerra mbi bazën e këtij parimi kushtetues, komunitetet fetare janë njohur si persona juridikë dhe e kanë zhvilluar rregullisht veprimtarinë e tyre. Rezultoi e provuar se në fillimet e vitit 1967, në bazë të qëndrimit partiak të të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu e Rita Marko së bashku me udhëheqjen e lartë të asaj kohe, kanë pranuar dhe rënë dakord për nxitjen e dhunimit të fesë dhe lirisë së besimit fetar.

I pandehuri Ramiz Alia shpjegoi në seancë gjyqësore se “vendimi që u mor për fenë ishte qëndrim partiak”. “Nisma” e nxënësve të Durrësit ishte ideuar dhe nxitur edhe nga këta të pandehur. I pandehuri Rita Marko shpjegoi në seancë gjyqësore se këto probleme diskutoheshin në atë periudhë “lart” në Sekretariat, në një kohë që është i njohur fakti se në këtë periudhë i pandehuri Ramiz Alia ishte sekretar i KQ të PPSH-së për problemet ideologjike.

Dëshmitari Todi Lubonja shpjegoi në seancë gjyqësore se duke qenë në vitin 1967 kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, organ i KQ të PPSH-së, ishte i detyruar të pasqyronte luftën kundër fesë në faqet e gazetës që drejtonte, pasi ky (qëndrimi ndaj fesë) ishte një vendim i KQ të PPSH-së.

Gjithashtu mbi këto fakte hodhi dritë edhe dëshmia e dëshmitarit Mihallaq Ziçishti, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit Korçë, në atë kohë. Ky mekanizëm për goditjen e fesë u vu në lëvizje fillimisht në rrethin e Durrësit. Nga dëshmitë e administruara të dëshmitarëve Kujtim Kabashi e Shyqyri Mushketa rezulton se në këtë kohë janë thirrur në Komitetin e Partisë të Rrethit Durrës dhe janë orientuar për luftën kundër fesë, duke u bërë

iniciatorë dhe duke nxitur propagandën antifetare. Shtytje kësaj lëvizjeje, në këtë rreth, i ka dhënë dhe i pandehuri Ramiz Alia në vizitën e tij në këtë periudhë, duke dhënë orientimet përkatëse, të cilave u dha drejtim përfundimisht Enver Hoxha në fjalimin e 6 shkurtit 1967, i konsideruar në atë kohë si “fjalim historik”, i cili në një tjetër këndvështrim mbetet përsëri i tillë.

Nëpërmjet këtij diktati partiak u arrit fillimisht në Durrës dhe më pas në rrethet e tjera të kufizohej e më vonë të mohohej tërësisht ushqimi shpirtëror i popullit, u godit ai ndikim pozitiv i komuniteteve të ndryshme fetare për kultivimin e tolerancës dhe paqes, edukimin me virtyte të popullit, si dhe vlerat kulturore e historike që mbanin me vete objektet e kultit, në një shkallë më të egër edhe persekutimi i gjithanshëm i personaliteteve të institucioneve fetare. Për faktin që ky qëndrim partiak ndaj fesë ishte një veprim antikushtetues shpjegoi dhe i pandehuri Ramiz Alia, i cili theksoi se menjëherë pas goditjes së fesë filloi puna në komisione për t’u pasqyruar në Kushtetutën e re (që doli 9 vjet më vonë, në 1976-ën) ky ndryshim në kapitullin e lirive e të drejtave themelore të shtetasve.

Ky moment tregon edhe dijeninë e plotë për shkeljen e Kushtetutës dhe dashjen nga ana e këtyre të pandehurve për të ndërmarrë në bashkëpunim me njëri-tjetrin këtë veprim antikushtetues, i sanksionuar vetëm në vitin 1976. Me dashje kanë vepruar të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu, të cilët neni 63 i Kushtetutës së vitit 1950, si anëtarë Qeverie i ngarkonte me detyrën e mbrojtjes së lirive e të drejtave kushtetuese, por këta të pandehur

në të kundërt kanë nxjerrë akte që ndalonin aktivitetin e mëtejshëm të komuniteteve fetare dhe viteve të besimit fetar.

Pra, del e qartë ana subjektive e kësaj figure krimi, subjekte të të cilit janë i

pandehuri Ramiz Alia në atë kohë në funksionin e sekretarit të KQ të PPSH-së; i pandehuri Rita Marko, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit Durrës; të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu, anëtarë Qeverie, e të gjithë bashkë, anëtarë të Byrosë Politike, të KQ të PPSH-së.

Ana objektive e kësaj figure krimi qëndron në veprimet e mosveprimet e

kundërligjshme në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, të kryera në bashkëpunim si anëtarë të forumit më të lartë të P.P.SH-së dhe anëtarë Qeverie nga këta të pandehur, që solli si pasojë shkeljen e lirisë së besimit.

Objekti i këtij episodi të veprës penale të shpërdorimit të detyrës janë marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe lirive e të drejtave themelore të shtetasve.

Përfundimisht trupi gjykues vlerëson se të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Rita Marko e Manush Myftiu duhet të përgjigjen penalisht edhe për këtë episod të krimit të shpërdorimit të detyrës, për të cilin ata akuzohen, parashikuar kjo vepër penale nga nenet 106 e 13 të Kodit Penal”-thuhet në dosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat