Gjiknuri del pas gjashtë orësh nga SPAK: Dhashë shpjegime, por është sekret hetimor

Shqipëria

Gjiknuri del pas gjashtë orësh nga SPAK: Dhashë shpjegime, por është sekret hetimor

Më: 1 mars 2024 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Ish-ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri qëndroi për gjashtë orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, por ende nuk dihet arsyeja se përse u thirr nga prokurorët.

Pasi doli nga godina e qelqtë, rreth orës 15:36, në një deklaratë të shkurtër për mediat, deputeti socialist nuk pranoi të tregojë për çfarë u pyet, pasi sipas tij “është sekret hetimor”.

Ju lutem, se nuk kam shumë për të deklaruar. Është gjëja më normale që të vish të japësh shpjegime, për gjëra që i ke mësuar gjatë ushtrimit të detyrës. Shpjegimet i dhashë në prokurori, kështu që s’kam informacion përtej kësaj. Është sekret hetimor”, tha Gjiknuri.

Ish-ministri u paraqit në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, por nuk dihet për cilën çështje.

Më herët, ai është pyetur për një dosje të denoncuar nga koha kur drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe pas një auditimi, u konstatuan shkelje në investimet në rrugën Tiranë-Elbasan. SPAK dispononte auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që evidentojnë se shtetit shqiptar, i është shkaktuar një dëm i pallogaritshëm ekonomik. Kjo çështje është bërë shkak që dosja të hapet sërish, në adresë të zyrtarëve të ARRSH-së dhe specialistëve, që kanë firmosur, megjithëse nuk ka ende akuza konkrete ndaj të dyshuarve, ndonëse dosja ka mbi tri vite në SPAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat