Ujdia për normalitet në Parlamentin e Shqipërisë, vendimin e mirëpresin ambasadat e huaja

Shqipëria

Ujdia për normalitet në Parlamentin e Shqipërisë, vendimin e mirëpresin ambasadat e huaja

Më: 16 mars 2024 Në ora: 12:24
Kuvendi i Shqipërisë

Është arritur një marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve mes mazhorancës dhe opozitës për normalizimin e jetës parlamentare të Shqipërisë.

E në lidhje me rastin kanë reaguar ambasada italiane, ajo gjermane si dhe amerikane.

Ambasada e Italisë ka mirëpritur këtë vendim, duke u shprehur se ndjenja e përgjegjësisë e treguar nga partitë është thelbësore për të garantuar funksionimin korrekt të institucioneve demokratike, në të mirë të vendit dhe popullit shqiptar.

“Ambasada e Italisë në Tiranë mirëpret marrëveshjen e arritur nga Konferenca e Kryetarëve e cila do të lejojë rikthimin në normalitet në Parlament. Ndjenja e përgjegjësisë e treguar nga partitë është thelbësore për të garantuar funksionimin korrekt të institucioneve demokratike, në të mirë të Vendit dhe popullit shqiptar”, ka shkruar ambasada italiane.

Ndërkaq ambasada e Gjermanisë tha se kjo marrëveshje është shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Ambasada Gjermane mirëpret marrëveshjen për rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendit me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara. Kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qytetarët/et me të drejtë presin që parlamenti i tyre të bëjë të mundur, që shkëmbimi dhe gara e ideve të ndryshme të zhvillohen paqësisht dhe në përputhje me rregullat. Vetëm në këtë mënyrë Parlamenti mund të përmbushë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët”.

Po ashtu edhe ambasada amerikane mirëpriti këtë vendim dhe inkurajoi deputetët që të vazhdojnë të tregojnë një përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Ne inkurajojmë deputetët që të vazhdojnë të tregojnë një përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar.”, shkruan Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat