Projekti për Sazanin, Rama: Ofertë fantastike, por jemi ende në fazat e para

Shqipëria

Projekti për Sazanin, Rama: Ofertë fantastike, por jemi ende në fazat e para

Më: 19 mars 2024 Në ora: 20:59
Kryeministri shqiptar Edi Rama

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama, tha sot se propozimi i sipërmarrësit amerikan Jared Kushner për një investim turistik në ishullin e Sazanit është një ofertë me një potencial të jashtëzakonshëm. Kryeministri saktësoi megjithatë se propozimi është në fazën fillestare dhe nëse projekti përmbush ekulibrin mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës atëherë do të ecet përpara për realizimin e tij

Projekti i sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, për realizimin ndër të tjera të një investimi për nje eko-resort turistik luksoz në ishullin e Sazanit në Shqipëri, prej ditësh është kthyer në një temë diskutimi, shoqëruar me hamendësime nga më të ndryshmet.

I pyetur sot nga gazetarët për këtë çështje, kryeministri Edi Rama foli për një ofertë fantastike, me një potencial të jashtëzakonshëm, e cila megjithatë është në fillesat e saj. "Jemi absolutisht të kënaqur që kemi një propozim, propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë, është bërë një aplikim sipas ligjeve në fuqi në agjencinë tonë të investimeve të huaja AIDA do ta shqyrtojmë edhe nëse projekti puthet me vizionin tonë dhe me domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, duke e kthyer natyrën në aspektin kryesor të atij zhvillimi, atëherë do ecim përpara", deklaroi zoti Rama.

Ai saktësoi më tej se "flasim për një aplikim, të cilin ne do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim."

Investimi në Sazan është pjesë e një projekti afro 1 miliard dollarësh, i cili përfshin ndërtime hotelesh dhe vilash dhe në bregdetin në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës si dhe një projekt tjetër zhvillimi në Beograd.

Për rastin e Zvërnecit, Ministria shqiptare e Turizimit ka deklaruar se nuk ka dijeni. Zoti Kushner pak ditë më parë shfaqi në rrjetet sociale pamje illustruee dhe nga ky projekt.

Mes aludimeve të shumta, në Shqipëri kanë parë një ndërlidhje mes këtyre projekteve të sapo bëra publike, dhe ndryshimeve që parlamenti miratoi pak javë më parë, me propozim të qeverisë, në ligjin për zonat e mbrojtura. Këto ndryshime i hapin rrugë ndërtimeve të resorteve luksoze në këto zona. Zoti Rama ka ironizuar,këdo që ka parë një lidhje të tillë, ndërkohë që ekspertët e fushës kanë shpjeguar se ishulli i Sazanit nuk futet në zonat e mbrojtura, ndërkohë që sipas tyre, Zvërneci është pjesë e pejsazhit të mbrojtur Vjosë - Nartë, dhe aty nuk lejohet ndërtimi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat