Ndryshimi i Sistemit Zgjedhor/ Nis mbledhja e firmave, Lapaj: Është çasti të ndahet shapi nga sheqeri!

Shqipëria

Ndryshimi i Sistemit Zgjedhor/ Nis mbledhja e firmave, Lapaj: Është çasti të ndahet shapi nga sheqeri!

Më: 20 mars 2024 Në ora: 11:14
Adriatik Lapaj

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka nisur iniciativën për grumbullimin e 20 mijë firmave të qytetarëve në të gjithë vendit, për të dërguar në Parlament çështjen e ndryshimit të Sistemit Zgjedhor.

Kryetari i saj, Adriatik Lapaj në një prononcim për mediat është shprehur se kjo vjen pasi janë rrëzuar disa projekt-ligj  për Reformën Zgjedhore.

“Në  janar janë rrëzuar dy projektligje për Reformën Zgjedhore, ne do ta dërgojmë në parlament përmes 20 mijë firmave. Stendat do të jenë në Tiranë dhe në rrethe” tha fillimisht ai.

Sipas Lapaj  është koha të ndahet  “shapi nga sheqeri” dhe po ashtu të ndahen ata që janë pro pengmarrjes dhe ata që janë pro hapjes së sistemit.

“Është çasti të ndahet shapi nga sheqeri. Të ndahen ata që janë pro pengmarrjes dhe ata që janë pro hapjes së sistemit.

Duhet që çdo deputet ta pozicionojë veten dhe të zgjedhë që ta mbajë Shqipërinë peng apo të demokratizojë vendin. Nuk ka rrugë të mes, o me pengmarrësit, o me qytetarët” shtoi ai.

Sa i përket votës së diasporës, Lapaj tha se kërkon të ndiqet shembulli i Kosovës, i cili e mundëson at me postë.

“Drafti përjashton ambasadat, sepse i konsiderojmë zgjatime të pushtetit të Tiranës. Kemi përjashtuar sistemin elektronik, sepse AKSHI ka rënë dy herë dhe nuk jep siguri.  Ne kemi propozuar voton me postë.

Është modeli që e bën Kosova dhe i ka funksionuar më shumë sukses. Kjo tregon që është një sistem që funksionon” theksoi Lapaj.

Ai po ashtu tha se ata janë brezi i fundit që mund ta bëjnë këtë luftë,  pasi shkollat dhe universitetet po boshatisen nga dita në ditë.

“Më besoni ne jemi brezi i fundit që mund ta bëjmë këtë luftë. Po të shkoni në shkolla dhe universitete, bankat po boshatisen nga dita në ditë,” përfundoi kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat