Rama: Rruga e Arbrit në shtator

Shqipëria

Rama: Rruga e Arbrit në shtator

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 08:27
Edi Rama

Nga Peshkopia kryeministri shqiptar Edi Rama premtoi se brenda shtatorit do të nisë puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

“Rruga e Arbrit, që është një zotim solemn i yni do të nisë nga puna me të përfunduar kontrata. Procedura është drejtë përfundimit dhe brenda shtatorit ne do të fillojmë punën dhe do t’i japim fund kësaj historie të pafund, që për çerekshekulli ju e keni dëgjuar dhe stërdëgjuar. Por unë ju them se brenda katër viteve të ardhshme, Dibra do të jetë e lidhur me Tiranën”, tha Rama.

Rama tha se “të tjerët nuk kanë as vizion, as program, as skuadër, as lider. Të tjerët kanë vetëm një mundësi: të na kthejnë mbrapa. Ndërkohë që në këto 44 muaj, ne kemi bërë gjithçka kemi mundur por jo gjithçka duhej, sepse nuk mund të zhbëhej ajo që është bërë në çerek shekulli”.
Ama, ka vijuar ai, Partia Socialiste ka dhënë provën se është e vetmja parti që mund të bëjë shtet.

“Kemi dhënë provën se e kemi bërë Shqipërinë një vend të denjë, që mund ta çojë flamurin e Ismail Qemalit në oborrin e familjes europiane. Kemi ndërmarrë reforma që kanë vendosur themelet e shtetit modern dhe vota e 25 qershorit do të vendosë nëse ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë shtëpi”, ka thënë Rama.

Të tjera pika ku Rama është ndalur ka qenë reformimi i administratës dhe investimet për bujqësinë.

“Ne kemi mundësitë që të hapim portat e një administrate që t’iu shërbejë njerëzve e jo partive. Ne do të financojmë 238 milionë dollarë për bujqësinë dhe fshatin, ndërsa me 100 milionë të tjera do të fokusohemi për rrugët që lidhin fshatin me tregun”, ka premtuar Rama.

Pak më vonë Rama është ndalur në Bulqizë, ku ka përsëritur të njëjtat apele.

“Të gjithë punonjësit e shtetit këto 10 ditë duhet të punojnë për shtetin që duam, me punësim dhe mirëqënie. Nuk mund të gjejnë më bukur ata që janë me PD të votojnë numrin 2. Po votuan atë gjashtën ngelën me PD dhe s’fitojnë asgjë”, ka thënë Rama, që ka ngritur dhe dy gishtat për të treguar numrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat