Zhvillohet në Parlament aktiviteti ndërkombëtar “Udha e Paqes”

Shqipëria

Zhvillohet në Parlament aktiviteti ndërkombëtar “Udha e Paqes”

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 19:27
Parlamenti i Shqiperise

Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar “Udha e Paqes në Ballkan 2018”.

“Udha e Paqes”, e aplikuar në 120 vende të botës, është projekti i Federatës së Paqes Universale, që synon prej vitit 2006 ndërtimin e urave të komunikimit mes kombeve, popujve dhe komuniteteve të ndryshme të botës. Në aktivitetin e sotëm, që përfshin 7 vende të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë përfaqësues të këshillave të paqes, të rinj dhe të reja, ambasadorë të paqes nga vendet e rajonit.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika nënvizoi se “Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, që kontribuon dhe do të kontribuojë në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik, ekonomik, social dhe kulturor të rajonit dhe më gjerë”.

Në vijim të fjalës së saj, zëvendëskryetarja e Kuvendit u shpreh: “Për ne si parlamentarë, paqja, siguria dhe zhvillimi në rajon nënkupton bashkëpunimin rajonal, pra fqinjësi të mirë, zhvillimi ekonomik, demokraci funksionale, respektim i të drejtave të njeriut, qeverisje e mirë, angazhim të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, më shumë investime dhe më shumë për qytetarët e rajonit dhe të çdo vendi”.

Nënkryetarja e Kuvendit tha se “sot i drejtohem në mënyrë të veçantë të rinjve dhe të rejave që janë pjesë e rrugëtimit në rrugën e Paqes në Ballkan, me besimin e plotë se ata mund të kontribuojnë për t’i dhënë fund paragjykimeve dhe ndasive etnike, kulturore dhe fetare në rajon, për t’i bërë vendet tona, për të qëndruar dhe kontribuar në zhvillimin e tyre dhe për mos t’i braktisur ato dhe mbi të gjitha, të kontribuojnë për të forcuar kohezionin social në vendet tona dhe në rajon”.

Aktivitetin e përshëndetën ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë në periudhën 2002-2007, Alfred Moisiu dhe kryetari i Federatës së Paqes Universale për Europën dhe Lindjen e Mesme, Michael Balcomb.

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Moisiu, përgëzoi të rinjtë që iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë pjesë e iniciativës së Federatës së Paqes Universale. Kombi shqiptar është një komb paqedashës dhe ky mesazh kombëtar duhet përcjellë edhe në vendet fqinje.

Kryetari i Federatës së Paqes Universale, për Europën dhe Lindjen e Mesme, Michael Balcomb, shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në Parlamentin shqiptar. Balcomb e konsideroi mjaft domethënës vizionin që paraqet rruga e paqes. Sipas tij, është mungesa e komunikimit që sjell keqkuptimet dhe moskuptimet ndaj njëri-tjetrit, qofshin individë, grupe apo vende të ndryshme.

Në përfundim të aktivitetit, ish-Presidenti Moisiu u dorëzoi të rinjve flamurin e “Udhës së Paqes”, marrë në dorëzim nga Presidenca e Federatës së Paqes në Vjenë, për të nisur rrugëtimin e tyre të përçimit të mesazheve të paqes në rajon. Nga data 3 deri më 11 tetor 2018, 25 vullnetarë nga Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje – Hercegovina dhe vende të tjera të botës, do të udhëtojnë përmes 7 vendeve ballkanike të “Udhës së Paqes”, për t’u pritur nga përfaqësues të ndryshëm të politikës lokale e vendore në vendet e vizituara, e për të përçuar atje mesazhe të paqes, bashkëpunimit e mirëkuptimit. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat