Tkurrje masive e sektorit të arsimit me 35%, ja arsyet kryesore - Bota Sot
Tkurrje masive e sektorit të arsimit me 35%, ja arsyet kryesore

Shqipëria

Tkurrje masive e sektorit të arsimit me 35%, ja arsyet kryesore

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 08:47
Ilustrim

Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 35% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve edhe shkollave. Gjatë periudhës 1991-2018, numri i nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar u tkurr me 35%, numri i mësuesve ra me 22%, rreth 35% e shkollave u mbyllën, teksa klasat u reduktuan me 70%. Shqipëria po tenton modelin finlandez të arsimit, por politikat po shkojnë për të kundërtën.

Si po dëmtohet arsimi nga tranzicioni demografik, cilësia e dobët e trupës arsimore, mungesa e financimeve dhe mospërshtatje me kurrikulën. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, thotë se duhet të investohet të paktën 5% e PBB në arsim për një dekadë rresht

Sistemi arsimor në vend, edhe këtë vit të ri shkollor, vetëm sa ka përkeqësuar problemet e akumuluara prej vitesh, me financime të pamjaftueshme, infrastrukturë të dobët shkollore, hendek në nivelin e trupës arsimore dhe rënie drastike të numrit të nxënësve, si pasojë e rënies së numrit të lindjeve me rikthimin e valës së re të emigrimit të familjeve.

Veç këtyre dobësive, modeli arsimor që kemi zgjedhur të ndjekim, ai i Finlandës, që është më efikasi në Europë, ka dështuar të ushtrohet në kushtet e Shqipërisë. Finlanda arriti në 2015 vendin e dytë në botë për njohurit e larta që 15-vjeçarët atje kanë për shkencat, matematikën dhe të lexuarit sipas Programit për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ndërsa Shqipëria u rendit shumë poshtë mesatares në rang botëror, duke u krahasuar me vende të Azisë dhe Afrikës, edhe pse vitet e fundit ka bërë përmirësime. Por çfarë ka bërë Finlanda që është prijësi i arsimit në Europë?

Në shtetin e vogël nordik prej rreth 5 milionë banorësh është më e vështirë të bëhesh mësues, se sa mjek, jurist apo ekonomist. Shkollat e larta të mësuesisë përzgjedhin 10 përqindëshin më të mirë të gjimnazistëve dhe kurrikulat e kanë të kombinuar në mënyrë të përsosur praktikën me teorinë. Teksa Shqipëria ëndërron Finlandën, për 28 vite rresht që kur ka rënë sistemi komunist, degët e mësuesisë ndiqen nga 20% më i dobët i studentëve. Lëndët e mësuesisë ishin aq pak të zgjedhura sa prej vitesh degët e matematikës, biokimisë, jo vetëm që kanë thithur gjimnazistët e 10% më të ulët, duke u degdisur shpesh me kuota bosh.

Për më shumë se dy dekada, Shqipëria i ka vënë “minat” shkollave të larta të mësuesisë, duke e lënë vendin pa asnjë zgjidhje në drejtim të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies. Që këtu, modeli i Finlandës është një dështim, pa llogaritur faktin se Shqipëria sistematikisht gjatë tre dekadave të fundit ka financuar rreth 3% të PBB-së, teksa Finlanda modeli që ne ndjekim edhe sot e kësaj dite, jep 7% të fondeve për arsimi. Fëmijët në Finlandë nisin shkollën në moshën 7 vjeç, mësimi fillon pas orës 9. Në gjashtë vitet e para kanë vetëm një mësues dhe për më tepër shkolla nuk konceptohet si një detyrim. Gjithkush prej nesh e dimë se, Shqipëria nuk ngjan askund me modelin që ka zgjedhur.

Për më tepër suksesi i Finlandës nuk është më shumë te cilësia e mësimdhënies, por më shumë nga aksesi i barabartë në arsim që kanë nxënësit në të gjithë vendin. Cilësia është njësoj, një shërbim që shumë vende të tjera europiane edhe më të zhvilluara të Europës qendrore ende nuk e kanë. Por Shqipëria po bën ende hapa pas në këtë drejtim, pasi prej largimit të popullsisë, shkollat në zonat e varfra të vendit po mbyllen masivisht, duke e zbehur perspektivën e shkollimit për ato familje të varfra që jetojnë ende atje.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se në themel të dobësive të sistemit arsimor në vend qëndron mungesa e financimeve dhe vizionit. Ai tha se vendet që kanë tentuar të sjellin arsimin e tyre në një nivel tjetër për një dekadë rresht kanë investuar 5% të PBB-së. Ish-ministri u shpreh se duhen stimuluar, nëpërmjet bursave, degët e mësuesisë, në mënyrë që të përthithen studentë të mirë dhe më tej duhet të bëhet një lidhje më e fortë mes shkollës së lartë të mësuesisë dhe praktikës mësimore. Tafaj tha se po nuk u bënë këto ndërhyrje, Shqipëria nuk do të jetë konkurruese as me rajonin

UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim) së fundmi bëri një vlerësim për politikat arsimore në Shqipëri dhe gjeti se ende deri më 2017, mësimdhënia në vendin tonë ka dështuar të nxisë kreativitetin dhe aftësitë.

“Gjatë dekadave të fundit, shkollat duhet të ndryshonin rolin e tyre nga riprodhimi me saktësi i lëndëve drejt nxitjes së rritjes dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe kompetencave dixhitale për pjesëmarrje në shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë dhe përtej saj”, – shprehen ekspertët e UNESCO-s.

Ministria e Arsimit në një prononcim të posaçëm për “Monitor” tha se, kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjiozë si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”. Studime të tjera ndërkombëtare tregojnë se cilësia e dobët e arsimit ka ulur cilësinë e kapitalit njerëzor në mënyrë drastike në tre dekdadat e fundit. Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit (The Lancet) ka bërë krahasime të zhvillimit të kapitalit njerëzor në nivel global (195 vende) nga viti 1990 -2016.

Studimi tregoi se Shqipëria ka bërë regresin më të madh në Europë madje në rang global në këto 26 vite. Në vitin 1990 Shqipëria u rendit e 75 në botë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por në vitin 2016 ajo u rendit në vendin 91, duke humbur plot 16 pozicione në renditjen globale.

Sektori i arsimit reduktohet me 35% që nga 1990.

Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, shkollën e vijuan 46 mijë fëmijë më pak.

Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, këtë vit dhe me 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.

Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70% përgjatë 28 viteve.

Sipas INSTAT, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9-vjeçar.

Ministria e Arsimit pohoi se, prej vitit 2009 migrimi i brendshëm i popullatës nga fshatrat dhe qytetet e vogla drejt qendrave më të mëdha urbane, emigracioni dhe rënia e numrit të lindjes kanë bërë që shkollat në zona urbane të kenë më shumë nxënës se sa në ato rurale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...