Laboratori në Has ishte i dyti i këtij lloji i zbuluar në Shqipëri

Shqipëria

Laboratori në Has ishte i dyti i këtij lloji i zbuluar në Shqipëri

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 00:29
Ilustrim

Një laborator drogash të forta është zbuluar nga policia në fshatin e thellë malor të Brenogës në zonën e Hasit të Shqipërisë. Laboratori ishte ngritur brenda dy hapësirave që më parë përdoreshin si stallë për bagëti.

Drejtoria e Policisë në Kukës, në bashkëpunim me agjencitë e tjera dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit ndërmorën operacion antidrogë, ku pas operacionit është zbuluar një sasi e konsiderueshme lënde opiumi, lëndë e parë për prodhimin e heroinës, heroinë dhe kokainë. Burime policore kanë bërë të ditur se gjatë aksionit të nisur mbrëmjen e djeshme kanë qenë të pranishëm disa agjentë të DEA-s amerikane dhe përfaqësues të policisë gjermane. Burime thanë se në laborator është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde opiumi, lëndë e parë për prodhimin e heroinës, heroinë e pastër rreth 100 kilogramë dhe kokainë. Janë arrestuar pesë persona, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim. Personat e arrestuar janë Mustafë e Xhavit Shuti (babë e bir), bashkëshortja e Xhavitit, shtetasja A.Shuti, si dhe shtetasit V.B dhe F.C.

“Për detaje te operacionit Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjencitë ligjzbatuese në ditët në vijim do të kenë një konferencë të përbashkët për mediat për operacionin që zhvillohet në qarkun e Kukësit”, thuhet në një njoftim të shkurtër të Policisë.

Dyshohet se laboratori i përket një linje të trafikut të drogave të forta që vepron prej vitesh nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së.

Ky është laboratori i dytë i prodhimit të drogave të forta pas atij të Xibrakës së Elbasani, që ishte zbuluar më 14 janar të vitit 2015, në bashkëpunim me policinë gjermane. Asokohe u sekuestruan një sasi prej 100 kilogramësh kokainë e përzierë, 4 kilogramë kokainë të pastër dhe 3 deri në 4 tonë përzierës, si dhe qenë arrestuar 13 persona. Midis tyre edhe dy shtetas kolumbianë, si dhe Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat