Mediat e huaja: Shqipëria ndalon bastet për të luftuar krimin e organizuar

Shqipëria

Mediat e huaja: Shqipëria ndalon bastet për të luftuar krimin e organizuar

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 11:18
Foto

Shqipëria miratoi ligjin që ndalon bastet sportive, kryesisht ato në internet, shumë të përhapura në vend, me qëllimin për të luftuar krimin e organizuar, shkruajnë mediet prestigjioze si AFP, “Washington Post”, “Reuters” apo “Associated Press”.

“Parlamenti votoi 75-0 për mbylljen e kazinove, përfshirë pikat e basteve mbi sportet, garat me kafshë dhe faqet e huaja të internetit të basteve, si dhe do të lëvizen në zona jashtë qyteteve”, shkruan agjencia britanike e lajmeve “Reuters”.

Ky ligj, që kufizon gjithashtu aktivitetet e kazinove, do të hyjë në fuqi në janar.

“Shqipëria numëron më pak se 4 200 qendra bastesh sportive, për një popullsi prej 2,8 milionë personash”, thekson agjencia zyrtare franceze e lajmeve AFP.

Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë deri në 150 milionë euro në vit në baste sportive, një shifër që arrin 700 milionë euro nëse llogariten edhe bastet klandestine.

Ligji i ri parashikon gjithashtu mbylljen e kazinove që ndodhen pranë shkollave.

“Ky është një mesazh i qartë kundër krimit të organizuar që pastron paratë nëpërmjet këtij aktiviteti, por është gjithashtu një lajm i mirë për të gjitha familjet dhe viktimat e lojërave të fatit, deklaroi kryeministri Edi Rama pas miratimit të këtij ligji në Parlament”, citon AFP.

“Ky vendim shkon në interes të shoqërisë shqiptare, por ajo dëshmon gjithashtu angazhimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar”, shtoi ai, transmeton atsh.

“Gjatë fjalës së tij në Parlament, Rama theksoi se shumica e kompanive që operonin në këtë sektor ishin të blera nga persona me rekorde kriminale dhe falenderoi deputetët për për votimin e kësaj mase pavarësisht një periudhe stresuese me mesazhe të shëmtuara të të gjitha natyrave”, citon “Balkan Insight”.

Opozita, që ka bojkotuar seancat parlamentare prej disa javësh, nuk mori pjesë në këtë votim.

“Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama është betuar se do të ndalojë industrinë e lojërave për të luftuar kundër kriminalitetit ekonomik, por deri tani nuk kishte arritur dot një mazhorancë në parlament mbi këtë çështje”, shkruan Radio Televizioni Irlandez, RTE, 

“Ministri i financave Arben Ahmetaj tha javën e kaluar se buxheti i vitit të ardhshëm nuk e ka parashikuar të ardhurën nga taksa e kazinove dhe pikave të bastit, që ishte 54 milionë dollarë vitin e kaluar”, shkruan prestigjiozja “Associated Press”.

Nga ana tjetër “Wahsington Post” shton se “media është njoftuar se nëse nuk ndërpret reklamat e basteve ilegale do të mbyllen”, raporton Kosova Press në këtë përmbledhje të artikujve mbi mbylljen e basteve në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat