Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri këtë të martë ka festuar ditëlindjen e tij të 39-të.
Me këtë rast ai ka publikuar një video të veçantë, ku nëpërmjet saj duket se pranon se ka gjetur lumturinë.
Bëhet fjalë për një leksion lumturie të dhënë nga aktori i madh italian, Roberto Benigni.
Në fjalën e tij, Beningi thotë, “Lumturia, po lumturia! Kërkojeni çdo ditë, vazhdimisht. Madje ju që më dëgjoni tani kërkojeni, sepse e keni, e kemi!”
Këtë video Tahiri e shoqëron me fjalët, “Ditëlindje! Në fund të ditës, veç për kaq është gjithmonë! Ju falenderoj pafund të gjithëve”.
Duket se ky është një mesazh i koduar i Tahirit, pasi Prokuroria e Katanias në Itali, ka mbyllur hetimet ndaj tij, me përfundimin se nuk ka asnjë provë që ta lidhin me akuzat për trafik droge.
Kujtojmë se këtë të hënë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shkoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
I pyetur nga gazetarët lidhur me arsyen e kësaj vizite, ai tha, “Paraqita diçka. Por pas 2-3 ditësh do flasë konkretisht për çfarë është dorëzova. Është një provë që e quaj deçizive për procesin”.
Tahiri deklaroi se nuk ka frikë nëse merret i pandehur për dosjen “Habilaj”, për të cilën edhe po hetohet.
“Kam një vit që dëgjoj pafundësisht dhe kam heshtur, prisni dhe juve dy ditë”, deklaroi ish-ministri i buzëqeshur, duke u larguar.
Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.