Tabaku: Buxheti 2019, lëmoshë për qytetarët dhe taksim i rëndë për bizneset

Shqipëria

Tabaku: Buxheti 2019, lëmoshë për qytetarët dhe taksim i rëndë për bizneset

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 14:28
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se “buxheti i vitit 2019 është njësoj si në 4 vitet paraardhës, nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, por lëmoshë për qytetarët dhe taksim të rëndë për bizneset”.

“Ky është buxheti që pasuron një grusht njerëzish pranë Edi Ramës. Ky është një buxhet që shoqërohet me 40 milionë USD taksa më shumë për shqiptarët dhe me rritje të borxhit publik, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ka kaluar 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përfshirë faturën e koncesioneve. Nga janari 2014, kur Edi Rama bëri buxhetin e tij të parë dhe deri më sot, shqiptarët kanë paguar 5 miliard taksa më shumë, duke bërë që jetesa për ta të jetë më e shtrenjta në Ballkan, ndërsa të ardhurat nga më të ulëtat”, deklaroi Tabaku.

“FMN ka llogaritur se taksat zënë 1/3 e të ardhurave për shqiptarët. Që do të thotë se 1 në 3 lekë që fiton, çdo shqiptar ia jep qeverisë, e cila ka dështuar t’i kthejë ato në shërbime më të mira dhe infrastrukturë më të mirë. Le të themi disa të vërteta që ky buxhet nuk u jep zgjidhje. FMN na rendit të fundit në Europë për të ardhurat në familje. Sot të ardhurat e familjeve shqiptare shkojnë për: tarifën e rritur të energjisë elektrike me 24%, tarifën e rritur të arsimit të lartë me 30%, tekstet e rritura shkollore me 7% dhe çmimin më të lartë të karburantit në rajon me 60%. A ka parashikuar qeveria rritje të ardhurash për familjet shqiptare të paktën për të përballuar çmimet, taksat dhe tarifat e rritura po nga kjo qeveri? Përgjigjja është JO”, shtoi Tabaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat