Gjiganti i hotelerisë “Marriot” tashmë edhe në Shqipëri, nënshkruhet marrëveshja

Shqipëria

Gjiganti i hotelerisë “Marriot” tashmë edhe në Shqipëri, nënshkruhet marrëveshja

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 17:51
Gjiganti i hotelerisë “Marriot”

Në ambientet e Pallatit të Kongreseve u nënshkrua ditën e sotme marrëveshja mes “Marriot Group” dhe “Alb Star”, marrëveshje e cila i hap rrugë ardhjes së gjigantit të hotelerisë “Marriot” në vendin tonë.

Të pranishëm në këtë aktivitete ishin një sërë personalitetesh, ku mes tyre ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje mes “Marriot Group” dhe “Alb Star”, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së turizmit në vend, duke e kthyer atë në një destinacion europian turistik.

“Për të gjithë investimet e turizmit në Shqipëri sot është ditë e veçantë, e cila shënon të dyja përpjekjet tona. Përpjekjen administrative për të krijuar një ambient të shëndetshëm në fushën e turizmit, po ashtu, ceremonia e sotme që është edhe realizimi i një përpjekjeje disavjeçare, për të pasur në Shqipëri një nga emrat më të njohur të hotelerisë në rang botëror. Nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes së një kompanie, investim 100% i kapitalit të brendshëm në bashkëpunim me ‘Marriot’-in, ne arrijmë të shënojmë 3 momente të rëndësishme në hotelerinë shqiptare. E para, sigurojmë cilësinë. ‘Marriot’-i garanton cilësinë e menaxhimit të një biznesi hotelerie në Shqipëri. E dyta, jemi pjesë e klikimeve të të gjithë ndjekësve të kompanisë dhe të gjithë atyre që do të pranojnë vizitorë në ambientet e kompanisë ‘Alb Star’. Dhe e treta, dhe më e rëndësishmja, nëpërmjet të qenurit pjesë e kompanisë ‘Marriot’, ne arrijmë që të krijojmë në Shqipëri një shkollë reale të atyre që do të shërbejnë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Ky është një moment kulmor në të gjitha përpjekjet tona, për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion europian turistik. Për mua si ministër i Turizmit dhe për këdo që shërben në sektorin e turizmit, kjo është një ngjarje e cila do të shënojë plot ngjarje të tjera, për të arritur që të krijojë një rrjet hotelesh me 5 yje në vendin tonë”, – theksoi Klosi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat