Meta merr pjesë në 80-vjetorin e krijimit të Radio-Tiranës

Shqipëria

Meta merr pjesë në 80-vjetorin e krijimit të Radio-Tiranës

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 20:43
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë festive të 80-vjetorit të krijimit të Radio-Tiranës, që u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar. Presidenti Meta duke e përshëndetur veprimtarinë e vyer dhe punë e pakursyer të punonjësve dhe drejtuesve ndër vite, vlerësoi drejtorin e parë të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanin (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”; folësit e parë: Kaliopi Nushi dhe Haki Bejleri (pas vdekjes) si dhe operatorin Todi Bojdani (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”. Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” komentatorin sportiv, Anton Mazreku dhe mjekun e shquar Hamdi Sulçebeu (pas vdekjes) si dhe të mirënjohurën pedagoge, folësen dhe artisten zonjën Vera Zheji me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh: “28 Nëntori është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; është Dita e Pavarësisë dhe Festa e Flamurit Kombëtar, dita e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, është dita që flet shqip më shumë se çdo ditë tjetër. Por kjo ditë shqipe përkon edhe me datën e shënuar, të lindjes së Radio-Tiranës, më 28 nëntor 1938, këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të shtetit dhe të kombit shqiptar.

Në ambientet e radiostacionit të vjetër në Laprakë, kjo ditë, që filloi me përshëndetjen e Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldinë, shënon zanafillën e një rruge të gjatë dhe historike të Radio-Tiranës dhe të të gjithë personelit që punoi e vazhdon të punojë me përkushtim. Një homazh të veçantë kam për Drejtorin e Parë, Gjergj Bubanin dhe për folësen e njohur Kaliopi Nushi, që po atë ditë nisi emisionin e parë në historinë e Radio-Tiranës. Fillimet e Radio Tiranës, lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari, Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu, etj”, u shpreh Presidenti.

Presidenti Meta vijoj më tej duke thënë se: “Krijimi i Orkestrës Simfonike të Radios, në vitin 1962, ishte një ngjarje madhore për Radio-Tiranën dhe për jetën artistike në vendin tonë, sepse muzika e bukur shqiptare e kultivuar dhe e regjistruar nga Radio Tirana jo vetëm transmetohej nëpërmjet valëve të saj por krijoi dhe mundësoi aktivitete të shumta artistike dhe pjesëmarrjen e artistëve të rinj. Festivali i parë i këngës në Radio, që vijon edhe sot, për të na treguar jo vetëm historinë e lavdërueshme të këtij institucioni por edhe meritën që u kthye në një akademi të gjuhës dhe të muzikës shqiptare.

Radio-Tirana mban meritën që përmes dy gazetarëve të saj Alfons Gurashi e Agron Çobani krijoi shkollën e radiokronikës shqiptare. Padyshim, rruga nëpër të cilën ka ecur Radio-Tirana në këto 80 vjet, nuk ka qenë e lehtë dhe kjo për shkak se ngjarjet politike që kanë shënjuar vendin në gjithë këtë periudhë nuk mund të mos kalonin përmes saj. E megjithatë, Radio-Tirana ia ka dalë të mbijetojë, falë punës së jashtëzakonshme, profesionalizmit dhe dinjitetit të punonjësve e drejtuesve të saj. Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social, apo çdo ngjarje artistike, u përcoll pikësëpari nga Radio-Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin. Unë kam pasur fatin që të jem në kontakt me të gjithë ju, në situata nga më të ndryshmet gjatë karrierës sime. Për më tepër që dikur kam bërë edhe radio-kronistin sportiv, duke pasur nderin dhe privilegjin të jem në një farë mënyrë, edhe pse për pak kohë, nxënësi dhe kolegu juaj duke mësuar nga mjeshtërit e radio-fonisë sportive si Ismet Bellova apo Ahmet Shqarri. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat