“Godet tavolinën dhe ofendon këdo prej mëse një ore” Si e humbi sot kontrollin Edi Rama

Shqipëria

“Godet tavolinën dhe ofendon këdo prej mëse një ore” Si e humbi sot kontrollin Edi Rama

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 12:45
Edi Rama

Ka mëse një orë që flet i vetëm në televizione dhe në rrjetin social, pasi protestuesit tashmë e kanë dhënë verdiktin, nuk duan të dialogojnë me të, por vetëm të shohin sesi qeveria u plotëson kërkesat e ngritura.

Sjellja e protestuesve të rinj që tashmë e kanë dhënë të qartë pozicionin e tyre e ka acaruar dukshëm kryeministrin, i cili gjatë fjalës së tij është parë të godasë disa herë tavolinën në shenjë nervozizmi.

Dhjetëra herë Rama ka hedhur akuza kundër Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, më së shumti kur në fjalën e tij ka përmendur termin dialog dhe ka drejtuar gishin kah opozitës, si njëri ndër zhurmuesit që ka hyrë në protestën e studentëve për t’i ndaluar ata të flasin me qeverinë.

Rama krahason studentët me çadrën e opozitës: Kujtoj se i vetmi rast ku unë kam dëgjuar këtë lloj refuzimi ndaj dialogut është me opozitën e sotme. Me Lulzim Bashën që u fut në çadër dhe thoshte s’ka dialog, por plotëso kërkesat se do largohesh bashkë me qeverinë. Si shkuan punët më pas, s’ka nevojë se nuk jemi për këtë këtu.

Rama për bordet e administrimit: Do të shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Administrimit. Por unë nuk bëj asnjë lëvizje, po nuk erdhët këtu dhe po nuk folëm bashkë. Ji të rrini e të këndoni këngët e Monikës e të Lulit në Bulevard.  Ju më sillni një emër të një studenti, që doni ju dhe  do ta vendosim direkt, por jo të rrini aty”

Në një moment nervozizmi Rama është shprehur se nëse studentët nuk duan dialog, atëherë le të rrinë në protestë, por më pas është shprehur se është i gatshëm që të ulë tarifat nga 50% deri në zero lekë. Për shkak të fjalimit të gjatë dhe plot tension edhe mesazhi i kryeministrit është kthyer në një kakofoni të madhe sinjalesh e mesazhesh.

Rama: Qëllimi i protestave demokratike është rruga për zgjidhje. S'doni të dialogoni, është e drejta juaj, rrini atje dhe mos ndaloni së protestuari, por mos mendoni se kërkesat që secili ka në kokë ne t'i përpunojmë dhe të bëjmë lojë kungulleshkash. 

Rama: Tarifat jemi gati t'i rishikojmë, jo tarifat por ndihmën e shtetit dhe qeverisë për ju. Tarifa do jetë siç është, ndërsa ne do t'ju japim nga buxheti 50% të saj. Por atyre që janë me 9-a dhe 10-a pse të mos ua paguajmë tarifën të gjithë? Pse? Pse të mos ua heqim tarifën atyre që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike? Pse vetëm 50%? Pse të jetë njësoj si për ata që rrinë natë e ditë mbi libra dhe me ata që rrinë në kafene? Unë nuk mendoj kështu. Por si ta zgjidhim, me TV? Dhe çfarë tju sugjerojë ju Luli, Monika, apo ai Qorri... Por ama duhet dialog, se nuk zgjidhen në leter.

Më pas kryeministri e ka ndërruar mesazhin se do të ulë tarifat, vetëm nëse ata vijnë të dialogojnë, përndryshe nuk do të bëjë asgjë. Jama gati për çdo gjë u shpreh Rama, vetëm që të ketë dialog.

Disa nga fyerjet më pikante të Ramës, përfshi edhe veten:

Rama për Taulant Mukën: Ai mund të jetë një studiues shumë i mirë por është një larvë politike. Ai larva politike tha që doktoratura ime paska qenë e dyshimtë... unë s'kam doktoraturë fare.

Rama për veten: Mund të dukem arrogant, shpërfillës... por skam ça të bëj unë, kështu jam...

Rama për Arlind Qorin: Ne duam dialog, jo Shqipërinë e qorrave kinez të revolucionit kulturor

Rama studentëve në një tjetër moment nervozizmi: Ju keni kërkesa por nuk doni të dialogoni... Qeveria nuk është daja që shpërndan qofte. Kemi patur një qeveri që shpërndante qofte tek daja, por shquiptarët mbetën në zgarë.

Pasi lexoi një koment të një qytetari në rrjetin social: Kemi vjedh kemi vjedh, sytë që të pëlcasin!

Rama për vetë forumin rinor të PS, në përgjigje të akuzave se FRESSH po ndërhyn në protestë: Ju e dini që ata nuk bëjnë dot gjë, janë të mbaruar komplet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat