Para-atletët të vlerësohen si sportistë profesionistë

Sporti

Para-atletët të vlerësohen si sportistë profesionistë

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Fokusi në Lojërat Paralimpike në Tokio nuk duhet të përqendrohet tek aftësitë e kufizuara apo fatet e atleteve dhe atletëve, por tek arritjet e tyre, mendon Stefan Nestler.

Marcus Rashford është, sikurse e thotë vet, një tifoz. „Hej, kur fillojnë garat paralimpik?", shkruante në twitter futbollisti i kombëtares britanike. "Super heronjtë në jetën reale". Disave prej tyre sulmuesi i Manchester United u uronte në të tjera postime në twitter shumë fat në Tokio, si p.sh. sportistes britanike paralimpike, Ellie Challis. Kur ajo ishte vetëm 16 muajshe u sëmur nga meningjiti, të dyja këmbët dhe parakrahët u desh t'i amputoheshin. Ndërkohë Challis është 17 vjeç dhe noton në Tokio për medaljen paralimpike.

Kushdo i vlerëson atletet dhe atletët paralimpikë. Pavarësisht vështirësive fizike dhe problemeve të tjera ata janë bërë sportistë profesionistë duke e ndjekur me këmbëngulje rrugën e tyre, që tani i ka çuar ata në Lojërat Paralimpike në Japoni. E megjithatë askujt prej këtyre sportistëve as që do t'i shkonte ndërmend ta vlerësonin veten si „super heronj".  Po, vërtetë sporti u ka ndihmuar atyre, që ta përballojnë jetën, u ka forcuar atyre vetëdijen duke u mundësuar që të përjetojnë shoqërinë dhe ndjenjën e gëzimit për fitore. Por a nuk vlen e njëjta gjë edhe për secilin sportist tjetër të sukseshëm?

Image
Stefan Nestler

Sportistë të veçantë

"Unë nuk ndihem si sportist me aftësi të kufizuara, unë jam thjeshtë vetëm një sportist me disa veçori fizike", më tha njëherë fituesi i shumëfishtë i ping-pongut paralimpik Rainer Schmidt, i cili ka lindur pa parakrahë. Më 1992 në Barcelonë Schmidt fitoi medaljen e artë në finale i brohoritur prej 12.000 spektatorëve. „A kam menduar gjatë lojës për kufizimet e mia fizike? Aspak! Nëse kam dëshiruar që të luaj me krah në olimpiadë? Aspak!", do të shkruante më vonë Schmidt. "Unë kam luajtur ping-pong, vetëm ping-pong – asgjë tjetër. Unë nuk qendroj si njeri me aftësi të kufizuara para tavolinës së ping-pongut, por si një atlet."

Si atlet, që është i fokusuar tek një qëllim, për të demonstruar sportin më të mirë në çastin vendimtar dhe për të ruajtur nervat nën kontroll, në mënyrë që t'ia dalë mbanë. E po ashtu për të mos dalë në fund të lojës me duar bosh, sepse nuk arriti të japë maksimumin e tij dhe ndoshta për fije të perit e humbi lojën, ndonëse ndonjëherë në lojë duhet edhe pak fat.

Emocione dhe besim

Të tilla çaste fitoreje dhe humbjeje, euforie dhe zhgënjimi do të ketë me bollëk tani edhe në Tokio. Në këtë pikë garat paralimpike nuk dallojnë prej atyre olimpike. Ndoshta sërish do të ndizet diskutimi për kategori të ndryshme të garave. Klasifikimi i  aftësive të kufizuara është një front gjithmonë i hapur në sportin paralimpik – ndryshe nga frontet e tjera, por ai është një front që përpunohet vazhdimisht. E të jemi të sinqertë, a e ka diskutuar ndonjëherë ndokush në garën olimpike të vrapimit 100 metra se çfarë domethënie ka një centimetër më shumë ose më pak gjatësi trupore?

E pra le të ndjekim me kureshtje e emocion atletet dhe atletët paralimpik, le t'u urojmë atyre që të ofrojnë rezultatet më të mira të mundshme! Le të festojmë bashkë me ta fitoret e po ashtu të ngushëllohemi bashkë me ta për dështimet! T'i vlerësojmë me seriozitet sportistet dhe sportistët paralimpikë pa i glorifikuar ata si „super heronj në jetën reale" – edhe pse në të vërtetë ata janë të tillë!/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat