​Komuna e Gjakovës shpall sportistët e vitit 2021, Taulant Jakupi më i suksesshmi

Sporti

​Komuna e Gjakovës shpall sportistët e vitit 2021, Taulant Jakupi më i suksesshmi

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Drejtoria komunale për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjakovës ka shpallur sot sportistët më të mirë - "Laureatët 2021".

Me këtë rast, drejtoresha komunale për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka tha se përkundër problemeve që solli pandemia, komuna e Gjakovës nxori kampionë në fusha të shumta të sportit. 

Roka: Gjakova nxori kampion përkundër problemeve me pandeminë Video: 

"Pandemia i ka vështirësuar të gjitha mundësitë, por kemi nxjerrë kampionë për të cilët jo se ju jeni kampionë, por jeni edhe kampionë të të gjithë qytetit të Gjakovës dhe ne jemi shumë të lumtur sepse suksesi juaj është edhe suksesi ynë në fund... Viti 2021 ka qenë i ndërthurur me suksese dhe sfida, mirëpo sportistët kanë arritur që të nxjerrin talent sportistë dhe kampion siç e pamë dhe sot që morën çmimet në kategori të ndryshme kështu që mund të them që ka qenë vit i suksesshëm pavarësisht sfidave që kemi pasur me pandeminë unë jam shumë e kënaqur me atë që kanë arritur në vitin 2021 prandaj dhe sot u shpërblyen më të mirët", tha Roka. 

Ajo theksoi se po punohet me përkushtim të madh për rregullimin e infrastrukturës sportive në këtë komunë.

Laureati i vitit u zgjodh Taulant Jakupi nga klubi i boksit "Sport Center", ndërsa sportistët më të dalluar për vitin 2021 ishin: Vedat Krasniqi nga klubi i "Kërcyesve nga ura", Alberina Berisha KH Shqiponja, Alban Delija nga KÇ Gjakova dhe Andesa Berisha nga KFF Jakova. 

Laureati i vitit 2021 Taulant Jakupi tha për KosovaPress se ky çmim e motivon shumë dhe se në vitin 2022 synon paraqitje sa më të mira në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet kampion i Evropës. 

Jakupi: Synoj të bëhem kampion i Evropës 

"Unë ndihem shumë i motivuar t’i sjell Gjakovës edhe shumë suksese tjera dhe ndihem shumë falënderues që Gjakova më ka përzgjedhur sportist të vitit... Unë për këtë vit synoj shumë gara ndërkombëtare, po ashtu edhe në kampionatin evropian që të tregoj boks cilësor dhe të zgjidhem kampion i Evropës", tha Jakupi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat