KOK shpërblen me 13500 euro medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Sporti

KOK shpërblen me 13500 euro medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 15:05
KOK

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 15-të tij, në të cilën shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.

Ndër pikat e shumta veçohet shpërblimi i ndarë për medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022.

Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 u vlerësua sukses i madh për ekipin tonë, i cili fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, me sportet e xhudos (pesë) dhe boksit (një).

U vendos të shpërblehen sportistët që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare Oran 2022. Medalistet e arta, xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, do të shpërblehen me nga dy mijë euro, ndërsa medalistët e bronztë, boksieri Shpejtim Bajoku dhe xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha, do të shpërblehen me nga një mijë euro. Trajnerëve do t’u takojë gjysma e shpërblimit të sportistit. Në total, shuma e ndarë është 13500 euro.

U miratua raporti financiar për periudhën TM1

U vendos që anëtari i BE, Bujar Turjaka, të përfaqësojë KOK-un në cilësinë e anëtarit të komisionit për licencimin e federative sportive, komision ky i formuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.

Shefi i misionit, Jeton Rudari, raporti për përgatitjet e pjesëmarrjes së ekipit të Kosovës në Festivalin Evropian Veror për të Rinj (EYOF), që prej 24-30 korrik 2022 mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë.

U vendos që xhudistja, Fatjona Kasapi, Shpresë Olimpike 2022, të mbështetet me një mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit.

U aprovua kërkesa e Federatës së Karatesë së Kosovës për karateistin Elhami Shabani, i cili rekomandohet në MKRS për marrjen e shpërblimit, pas medaljes së bronztë të fituar në Kampionatin Evropian 2021, të mbajtur në Stamboll të Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat