Sporti, arma më e fortë e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare

Sporti

Sporti, arma më e fortë e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 10:14
Sportistët e Kosovës

Derisa këtë të shtunë Kosova shënon 16 vjetorin e pavarësisë së saj, sporti po konsiderohet të ketë qenë arma më e fortë në forcimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.

Sukseset kulminante të arritura në shumë gara, duke fituar medalje të arta, kanë bërë që flamuri i Kosovës të jetë mbi shumë flamuj të shteteve më të fuqishme botërore, madje edhe në vende që fare nuk e kanë njohur Kosovën.

Në këtë aspekt, zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, ka thënë se sporti është arma më e fortë që ka vendi ynë në aspektin e lobimit në skenën ndërkombëtare.

Osmani: Sporti është arma më e fortë që ka Kosova për imazhin e saj jashtë vendit

“Sporti ka qenë dhe vazhdon të mbetet një ndër armët më të fuqishme që i kemi brenda vendit tonë si shtet edhe si shoqëri, duke u kthyer prapa që nga koha e okupatorit, sporti ka qenë ajo platforma në të cilën është bërë edhe ajo lufta e rezistencës për të drejtat tona si popull...Pjesa e pasluftës shënon kulminacionin e rolit që sporti e ka pasur, Kosova merret si shembull në aspektin e diplomacisë sportive duke e ditur që hyrja e Kosovës në arenën ndërkombëtare si shtet i ri në atë kohë është bërë përmes pranimit të federatave vendore, Komitetit Olimpik të Kosovës në strukturat ndërkombëtare...Medalja e Majlinda Kelmendit në Rio 2016 i ka dhënë jehonë jashtëzakonisht të madhe promovimit të vendit në arenën ndërkombëtare, përveç kësaj pastaj edhe paraqitjet tjera në shtete të cilat edhe sot e kësaj dite nuk na njohin ka arritur që të ngrihet flamuri i Kosovës, që të prezantohet Kosova tek popujt e ndryshëm”, tha Osmani.

Ndër sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, sporti ka bërë që Kosova të njihet botërisht për shkak të paraqitjeve mbresëlënëse të ssportistëve tanë.

Aliti: Sporti ka rolin kyç në ndërkombëtarizimin e Kosovës

“Sporti luan një ndër rolet kyçe në ndërkombëtarizimin e Kosovës. Marrim si shembull pranimin e Kosovës. Në fakt, kur Kosova nuk është pranuar nga të gjitha shtete e botës, sporti i Kosovës është pranuar nga të gjitha shtete e botës, duke marr parasysh që Kosova është anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Federatave sportive e të tjera. Gjithashtu mendoj që sportistët padyshim janë ambasadorët kryesor të diplomacisë sportive dhe të imazhit të Kosovës. Kjo është dë3shmuar shumë herë me përfaqësimin dhe medaljet e fituara në Lojërat Olimpike, Kombëtaren e Futbollit, të basketbollit, e suksese të tjera”, tha Aliti.

I pari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, vlerëson se sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës për promovimin e saj. Sipas tij, organizimet e shumta të ngjarjeve ndërkombëtare sportive në Kosovë i shërbejnë promovimit të vendit tonë.

Fetahu: Sporti është ambasadori më i mirë i vendit tonë

“Sporti është ambasadori më i mirë i një vendi, është forma më e mirë për ta përfaqësuar stemën dhe flamurin e një vendi edhe për ta promovuar atë. Unë besoj që të gjitha rezultatet sportive që i kemi arritur viteve të kaluara, në veçanti sportive në sportet dhe garat më kulminante nga sportet individuale tona si xhudo para se gjithash, pastaj edhe boksi e karateja e të tjera, mendoj se të gjitha këto i shërbejnë promovimit të shtetit i cili është i rëndësishëm për së cilin shtet në botë... Unë konsideroj se të gjitha këto organizime të cilat po ndodhin në vendin tonë, organizime ndërkombëtare i shërbejnë promovimit të sportit, i shërbejnë promovimit të vendit tonë përmes sportit”, tha Fetahu.

Përmes sukseseve të mëdha në sporte si xhudo, boks, karate e të tjera, flamuri i Kosovës është ngritur në shumë vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe përmes tyre shumë popuj kanë mësuar më shumë për vendin dhe popullin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat