​KOK dhe MKRS marrin hapa konkret kundër diskriminimit të sportistëve vendorë në arenën ndërkombëtare

Sporti

​KOK dhe MKRS marrin hapa konkret kundër diskriminimit të sportistëve vendorë në arenën ndërkombëtare

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar sot punëtorinë për luftën kundër diskriminimit në sport, përkatësisht diskriminimit të sportistëve dhe federatave sportive kosovare në arenën ndërkombëtare.

Në këtë punëtori është bërë e ditur se qëllimi i saj është hartimi i një manuali që ka të bëjë me diskriminimin e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë tryezë, Afërdita Fazliu ka thënë se ndër vite sportistët kosovar janë diskriminuar në forma të ndryshme në evente ndërkombëtare sportive, andaj reagimi ndaj kësaj dukurie është shumë i nevojshëm.

Fazliu: Qëllimi i punëtorisë është mbrojtja e sportistëve nga diskriminimi jashtë vendit

“Qëllimi i kësaj punëtorie është hartimi i një manuali që ka të bëjë me diskriminimin e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare. Është një prej projekteve të para të këtij karakteri që bëhet duke pasur parasysh që kohëve të fundit kemi pasur një mori të diskriminimeve që iu janë bërë ose federatave sportive apo sportistëve në mënyrë individuale, kështu që ministria në bashkëpunim me Komitetin Olimpik kanë angazhuar një ekip të ekspertëve që kryesisht janë ekspertë që vijnë nga Italia dhe ekspertë të Komitetit Olimpik, thjeshtë në hartimin e një manuali i cili do të shërbejë në preventivë por gjithsesi edhe në bashkërendimin e të gjitha institucioneve të cilat pavarësisht në çfarë natyre janë organizimet apo ngjarjet në të cilat ekipet ose kombëtaret e Kosovës diskriminohen ne do të luftojmë me të gjitha mjetet edhe në aspektin sportiv por edhe në atë diplomatik që sportistët tanë të jenë të barabartë më të gjithë sportistët e botës”, tha Fazliu.

Ndërsa, Blerina Imeri nga Departamenti Ligjor i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se Kosova është ndër vendet e para që ka marr një iniciativë të tillë.

Imeri: Manuali do t’i ndihmojë federatat në luftën kundër diskriminimit

“Qëllimi i kësaj tryeze është më i detajuar i një manuali që jemi duke e punuar në proces e sipër me ekspertë ndërkombëtar të cilët i kemi angazhuar, janë avokat me eksperiencë shumë të madhe ndërkombëtare në fushën e diskriminimeve që bëhen në sport. Ajo që më gëzoi është fakti se ekspertët në fjalë na njoftuan se Kosova është ndër shtete e para e cila e ka marr një iniciativë të tillë, pra të punojë një manual që do t’i ndihmojë të gjitha organizatat sportive në vend që ta parandalojnë paraprakisht ndonjë lloj të diskriminimit që mund të ndodh në të ardhmen në arenën ndërkombëtare ndaj sportistëve tanë siç kemi pasur raste të shumta që me disa federata si ajo e boksit, e karatesë, e futbollit”, tha Imeri.

Sipas Imerit, ky manual do të parashoh afate kohore për të reaguar në parandalimin dukurisë së diskriminimit.

Imeri: KOK dhe MKRS do të reagojnë me kohë kundër diskriminimit në sport

“Komiteti Olimpik dhe ministria kemi për qëllim që në aspektin ndërkombëtar të veprojmë në afatet e para, sapo të dëgjojmë që një sport, një federatë do të jetë pjesë e një aktiviteti i cili organizohet në njërin ndër vendet që potencialisht mund të kemi pengesa për pjesëmarrje apo për përdorim të simboleve tona, atëherë të reagojmë me kohë. Do të parashihen afatet, do të parashihen të gjitha procedurat hap pas hapi që federatat tona mund të fillojnë qysh në fillim të vitit kalendarik”, theksoi Imeri.

Në këtë punëtori u vu në pah fakti se ndër vitet shumë sportistë dhe federata janë diskriminuar duke u penguar të marrin pjesë në evente ndërkombëtare sportive për shkak të problemeve politike, telashet me viza si dhe çështje të tjera.

Në këtë punëtori ligjërues është avokati për çështje sportive nga Italia, Salvatore Civale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat