Gjenerali i NATO-s: Palët të sigurojnë që formimi i ushtrisë së Kosovës nuk do të rrisë tensionet

Aktuale

Gjenerali i NATO-s: Palët të sigurojnë që formimi i ushtrisë së Kosovës nuk do të rrisë tensionet

Nga: A.Zh Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 15:51
Cesare Marinelli, shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd,

Gjeneral brigade Cesare Marinelli, shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, ka folur për marrëdhëniet e tensionura ndërmjet Serbisë dhe NATO-s, për shkak të incidenteve të fundit në Kosovë dhe interpretimeve të ndryshme të rolit të KFOR-it.

Në një intervistë për “European Western Balkans”, Marinelli ka thënë se KFOR është përgjegjësi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Misioni i KFOR-it është i qartë dhe që është ruajtja e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përveç KFOR-it, forca të tjera profesionale dhe multietnike janë të gatshme të merren me incidentet e mundshme të sigurisë në Kosovë. Ato u krijuan me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe luanin një rol të rëndësishëm në çdo situatë krize. KFOR-i është përgjegjësi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it”, ka deklaruar ai, përcjell Bota sot.

Ndërsa, duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, ai ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri ligjet që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Sipas tij, ky vendim është marrë në kundërshtim me shqetësimet e shprehura nga NATO dhe se veprimi në fjalë, është i gabuar.

Ai ka deklaruar se NATO përkrah zhvillimin e FSK-së nën mandatin aktual dhe se ajo po rishqyrton nivelin e angazhimit me FSK-në.

“Kur vjen puna te zhvillimi më i fundit në Kosovë, shpreh keqardhje që Parlamenti i Kosovës miratoi tre ligje që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Ndërkohë që tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që e vendosë Kosova, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar. NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë më tej gjenerali Cesare Marinelli.

Ai ka shtuar se NATO mbetet e angazhuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë Perëndimor.

Por, sipas tij, të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon.

“NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë Perëndimor. Megjithatë, të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqëndrohen në përparimin e reformave dhe në dialog”, është shprehur ai./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat