Shpresa te ekipi negociator për të pagjeturit, kërkohet presion ndaj Serbisë

Aktuale

Shpresa te ekipi negociator për të pagjeturit, kërkohet presion ndaj Serbisë

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 12:34
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Me rastin e hapjes së ekspozitës për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë gjatë viteve1998/99, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare për të Zhdukurit e Kosovës ka kërkuar që të formohet një komision ndërkombëtar për të hulumtuar arkivat serbe.

Kryetari i këtij Këshilli, Ahmet Grajqevci, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion Serbisë për të treguar se çfarë ka ndodhur me të pagjeturit.

Ai kërkon që të dihet mbi fatin e 1220 personave për të cilët thotë se Serbia i mori të gjallë.

Grajqevci: Duhet të formohet një komision ndërkombëtar për zbardhjen e rasteve

“Njëherit kisha kërkuar nga institucionet e Kosovës edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të formojë një komision ndërkombëtar për hulumtimin e të dhënave brenda Serbisë ku do të kishte me qenë një rezultat ose do të kishte me qenë ndonjë efekt për ta detyruar shtetin serb që të tregojë se ku janë njerëzit tanë”, ka thënë Grajqevci.

Tutje, Grajqevci ka kritikuar punën e komisioneve  për mungesë bashkëpunimi me shoqatat që punojnë për këtë çështje.

Grajqevci: Komisioni parlamentar për të pagjeturit të aktivizohet ose të shpërbëhet

“Komisioni Parlamentar që është formuar, unë kam qenë i ftuar vetëm një herë në këtë komision, nuk e di as si funksionon, nuk kam mundur të shoh ndonjë rezultat, ai komision duhet të jetë aktiv ose duhet të shpërbëhet në tërësi, bile të mos na ekzistojë një komision që nuk kryen punë”, ka thënë Grajqevci.

Sipas Grajqevcit nëse institucionet do të angazhoheshin më shumë, nuk do të kishte nevojë për gjykata speciale, ngase ai pohon se ata kanë fakte për zbardhjen e këtyre rasteve.

Ndërkaq, çështja e të pagjeturve si pjesë e dialogut me Serbinë, po i gëzon aktivistët dhe familjarët e prekur nga këto raste.

Kështu ka deklaruar Haki Kasumi, nga shoqata për Hulumtime dhe Fatet e Personave të Pagjetur.

Kasumi: Na gëzon fakti që çështja e të pagjeturve po diskutohet në dialog

“Një lajm e një rezultat shumë të kënaqshëm e të gëzuar për ne aktivistët dhe familjarët në këtë fundvit në paralajmërimin për grupin negociator për fazën përfundimtare përmbyllëse të bisedimeve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë ku çështje që do të diskutohet dhe e meriton me prioritet në këto takime e këto biseda të jetë çështja e të pagjeturve. Ne e lusim grupin negociator, e lusim kryeministrin dhe bartësin e këtij aktiviteti Fatmir Limaj që t’i përmbahet premtimit dhe ne presim shumë nga hapja e kësaj çështje në nivel të lartë ku mundësitë janë shumë më të mëdha që të kemi rezultate”, ka thënë Kasumi.

Edhe Latif Mehmeti nga Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës, është shprehur i pakënaqur me punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur. Ai tha se ky komision ka humbur kohë me vizita jashtë vendit.

Anëtarët e këtij këshilli janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet duke i ofruar fakte për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.

Ekspozita me fotografi të personave të pagjetur dhe të torturuar gjatë luftës do të mbetet hapur deri më 15 janar të vitit 2018.

***

Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës ka hapur ekspozitën për personat e zhdukur gjatë luftës së vitit 1998/99, me ç'rast kanë kërkuar zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.

Kryetari i këtij këshilli, Ahmet Grajqevci, ka thënë se një nga kërkesat e tyre është që të formohet një komision ndërkombëtar për të hulumtuar arkivat e shtetit serb, me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të pagjetur, e njëherësh kanë kritikuar për mos bashkëpunim Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion mbi shtetin serb që të tregojë fatin e 1220 personave që na i mori", ka thënë Grajqevci.

Ai po ashtu ka kritikuar Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit për mungesë bashkëpunimi, e njëherësh ka thënë se institucionet duhej të angazhoheshin më shumë për këtë çështje.

"Nëse institucionet ishin marrë më shumë me këtë çështje, nuk do të kishim nevojë për gjykatat speciale, sepse kemi pasur mjaft fakte e të dhëna për të ardhur deri tek e vërteta", ka thënë Grajqevci.

Kurse, Latif Mehmeti nga Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës është shprehur i pakënaqur me punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

"Gjatë vitit 2018 Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur nuk ka gjetur kohë të takohet me ne. Vërejtja jonë është se Komisioni Qeveritar më shumë ka humbur kohë me vizita jashtë vendit se sa që është marrë direkt me çështjen e të zhdukurve", ka thënë Mehmeti.

Kurse Haki Kosumi, anëtar i këtij këshilli, ka drejtuar një kërkesë për grupin negociator me Serbinë, që të kthehen me rezultate për zbardhjen e këtij rasti.

Anëtarët e këtij këshilli po ashtu janë shprehur të lumtur që prioritet i dialogut Kosovë-Serbi do të jetë çështja e të pagjeturve dhe janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë institucionet me të dhënat që kanë.

Përndryshe, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 janar të vitit 2019.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat