Arrestohen tre të rinj shqiptarë në Beograd

Aktuale

Arrestohen tre të rinj shqiptarë në Beograd

Nga: F.B Më: 8 janar 2019 Në ora: 14:28
Policia serbe

(E plotësuar) - Mediat serbe kanë raportuar për arrestimin e tre shqiptarëve, të cilët në natën ndërmjet 6 e 7 janarit midis Beogradit kanë shkruar siç thotë “Novosti” simbole “terroriste” UÇK në borën mbi automjete për çka janë dënuar me nga 55 ditë burg.

Policia për këtë siç e ka quajtur “skandal” që ka shqetësuar qytetarët e lokalitetit Mirijeva në vigjilje të kërshëndellave ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar Iba Bajramaj (20) dhe Shpreson Bajramaj (22) nga Beogradi dhe Daniel Kryeziu (25) nga Prizreni, shkruan “Novosti”, transmeton “Bota Sot”.

Ata në natën e cekur kanë shkruar në borën e xhamave të automjeteve  të parkuara në rrugën “Kosta Nagj” në Mirijeva shkrimin "UÇK", për çka banorët e “frikësuar” kanë lajmëruar policinë.

Pas arrestimit, policia i ka dërguar të rinjtë para gjyqtarit për kundërvajtje i cili iu ka shqiptuar dënimin me burg.

MPJ: Regjimi në Serbi ngjallë frikë dhe urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon me forcë dënimin e tre të rinjve shqiptarë me pesëdhjetë e pesë ditë burg, vetëm pse kanë shkruar mbi borë tre inicialet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbi disa vetura në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se në një shoqëri demokratike dhe shtet, që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian askush nuk mund të dënohet sepse mund të ketë shprehur mendim apo prezantuar bindje ndryshe dhe eventualisht shfaqur një ide a simbol, përderisa ajo nuk është e dëmshme për të tjerët.

Ajo e konsideron si thellësisht të papranueshme që edhe njëzet vjet pas luftës dhe krimeve sistematike kundër njerëzimit të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga institucionet ushtarake dhe paraushtarake të shtetit serb dhe pothuaj njëmbëdhjetë vjet pas ekzistencës së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, regjimi jo-demokratik dhe jo-liberal në Serbi ngjallë frikë dhe ndjell urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare dhe buron nga Kosova.

MPJ i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe mekanizmave të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, që të reagojnë menjëherë në dënimin e kësaj sjellje anti-evropiane dhe anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi plotësisht të padrejtë dhe tërësisht të paarsyeshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat