(E plotësuar) - Në 13 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varri i tij.
I pari i Qeverisë, teksa ka folur për rolin e ish-presidentit në shtetndërtimin e Kosovës, është shprehur se ai ka krijuar një doktrinë të një Kosove paqësore për të gjithë.
Haradinaj: Në nderim të jetës dhe veprës së presidentit historik Ibrahim Rugova
“Vijmë me kolegët e Qeverisë në nderim të jetës dhe veprës së presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, njëkohësisht me respektin për traditën për të gjitha këto që institucionet e vendit i vazhdojnë për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e vendit... Tani historia do ta definoj në tërësi, por ajo që mund ta themi ne që kemi bashkërrugëtuar sado shkurtër me të është vërtet një doktrinë pra e një shteti paqësor të cilin ai e ka krijuar si të veten dhe vepra e tij, jeta e tij lidhet me një doktrinë të një shteti paqësor, një Kosove paqësore për të gjithë”, u shpreh ai.
Ndryshe, më 21 janar të vitit 2006 ka vdekur ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Sot kur shënohet 13 vjetori i vdekjes së tij gjatë gjithë ditës do të bëhen homazhe tek varri i tij dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.
***
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar varrin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.
Në 13 vjetorin e vdekjes së presidentit, Haradinaj me stafin e tij, kanë përkujtuar liderin e shqiptarëve dr. Rugovën.
“Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President!”, shkruan Haradinaj në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.
Ja postimi i plotë:
Rugova, me rreshtimin përkrah Perëndimit dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në, rideshmoi fuqinë e ideve demokratike shqiptare në shtetkrijim. Në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë sonë. Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President!
RH