Thaçi: Kosova është me fat që ka miq dhe gjen dyer të hapura në forumet botërore

Aktuale

Thaçi: Kosova është me fat që ka miq dhe gjen dyer të hapura në forumet botërore

Më: 24 janar 2019 Në ora: 21:41
Hashim Thaçi dhe Johanes Hahn

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, për Kosovën është një mundësi e jashtëzakonshme “që të takojmë liderët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare më të mëdha e më të rëndësishme, për të krijuar lidhje të reja bashkëpunimi dhe për të promovuar potencialet tona për zhvillim”.

Postimi i Thaçit në Facebook:

Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës vazhdon të ofrojë platformën më të mirë për komunikim dhe afrim të politikave ndërmjet liderëve politikë, organizatave ndërkombëtare dhe botës së biznesit, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në tërë botën. Për Kosovën kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që të takojmë liderët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare më të mëdha e më të rëndësishme, për të krijuar lidhje të reja bashkëpunimi dhe për të promovuar potencialet tona për zhvillim.

Kosova është shtet i ri, por me potenciale të mëdha. Këto potenciale dhe përkushtimin tonë për të kontribuar për paqen dhe përparimin e përgjithshëm i shpalosa edhe në takimet e shumta bilaterale, si dhe në tryezat ku merrnin pjesë prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, Kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, deri te kryeministrat e ministrat e shteteve si Gjermania, Britania e Madhe, Singapuri, Kanadaja dhe shefat e kompanive të mëdha si "Philips" apo drejtorët e organizatave si “GreenPeace” dhe të tjera.

Kosova është me fat që ka miq dhe gjen dyer të hapura kudo në forumet më të rëndësishme botërore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat