Sekretet e Enver Hoxhës në Francë, pasioni për djemtë e bëshëm dhe e dashura që e lidhi me komunistët

Aktuale

Sekretet e Enver Hoxhës në Francë, pasioni për djemtë e bëshëm dhe e dashura që e lidhi me komunistët

Më: 30 janar 2019 Në ora: 23:20
Enver Hoxha

“Enver Hoxha –sulltani i kuq” është biografia e ish- udhëheqësit komunist, që u botua në vitin 1994 nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber.

Schreiber është autori dhe gazetari i parë francez që vizitoi Shqipërinë në vitin 1981, duke zbërthyer karakterin e Enver Hoxhës.

Sipas Schreiber libri nuk ngjalli ndonjë interes në Shqipëri, pasi ishin vitet kur veprat e diktatorit dhe për diktatorin, dhe gjithçka rreth tij, digjeshin ose griseshin.

Në gazetën Panorama janë përkthyer disa pjesë nga jeta në Monpelje të Francës e Enver Hoxhës.

Siç shkruhet në libër, dëshira e Enverit ishte të studionte në Francë për Letërsi ose Histori –Gjeografi. Ai fiton bursë për Histori –Gjeografi dhe pasi dehet nga pija duke festuar me miqtë e tij të nesërmen mëson se bursa i kishte kaluar dikujt tjetër dhe i rezervohej vetëm një bursë për Shkenca Natyrore.

Përballë kthimit në fshat dhe degës jo të preferuar, Enveri zgjedh të dytën dhe meqë meraku i tij ishte eleganca, i ati i porosit një kostum tek rrobaqepësi më i mirë i qytetit.

Ai merr me vete disa ëmbëlsira dhe llokume për t’ia çuar motër Farijes, refugjate politike në Itali së bashku me të shoqin.

Më 5 shtator 1930 niset dhe në Bari e pret e motra me të afërm të tjerë. Më pas vazhdon udhëtimin për në Monpelje. Natën e parë e kalon në hotel “Terminus”.

Pasi gjen godinën e universitetit, shkon tek sekretaria ku njihet me një djalë biond simpatik, i cili gëzohet se ka njohur  një person të famshëm nga familja e Gjergj Kastriotit dhe studenti i quajtur Roncant fillon e ndihmon shokun e tij dhe më pas ulen të dy në një restorant pranë fakultetit.

Tek hoteli ku ishte vendosur, “Terminus”, takon një grup shokësh të tjerë dhe bën takim me ta në hotel “Riche”, ku i kishin rezervuar një pritje të ngrohtë, madje ty gjendej edhe Eqerem Hado, i cili vazhdonte vitin e dytë Drejtësi, kështu që Eqeremi dhe Enveri bëhen miq të pandashëm.

Në fund të vitit 1931 ai i kërkon ndihmë Eqeremit që t’i gjente një dhomë dhe pasi shkojnë tek një plakë dhe ajo u tregon se nipi i saj është vrarë në luftë në vendin tonë, hoxha i tregon gruas që në Korçë është një varrezë e ushtarëve francezë dhe ajo i thotë: “Zoti Hoxha, ju do ta mësoni nëse varri i nipit tim është aty?”. “Sigurisht që do shkoj dhe kur të kthehem do të kthej përgjigje”.

Image

 

Siç shkruan shkrimtari, nuk dihet nëse Enveri e kreu vërtet porosinë, por gruaja e mori shumë për zemër dhe ia la shtëpinë për 200 franga nga 300, dhomë me dy ballkone ku qëndroi për tre vite.

Hoxha ambientohet shpejt me qytetin dhe të shtunën e parë të muajit kishte korrespondencë me familjen, të cilëve iu niste letra dhe u tregonte për jetën në qytet. Në fund të vitit blen një radio për 25 franga, ku kapeshin vetëm valët e qytetit.

Sipas Schreiber, ai pinte ndonjë kafe me shokët dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë grua në jetën e tij, por i pëlqenin meshkujt biondë dhe me trup të bëshëm.

Ai e kalon vitin e Ri në hotel “Riche” dhe ndërkohë që dëgjon për atentatin e mbretit Zog në Vjenë, pohon se ishte gëzuar për këtë.

Meqë në të njëjtin fakultet ndodhej edhe Drejtësia dhe Historia, i riu Hoxha nuk ndiqte Fizikën dhe Kiminë, por frekuentonte  orët ku flitej për politikën dhe çështjet sociale.

Ai bëhet një student i zellshëm i konferencave të Historisë, kështu që dalëngadalë braktis studimet për të cilat kishte fituar bursë. Kështu që arrin rezultate mediokre dhe kur kthehet  në Gjirokastër pas vitit të parë, tregohet i rezervuar në bisedat për studimet.

Në vit të dytë ai fillon të frekuentojë kafenetë me shumë njerëz dhe i hyn në gjak jeta artistike, ndonëse çmimet e biletave ishin të kripura.

Në rrugën ku ai rrinte ishte një futbollist me emrin Pista, një nga lojtarët më të mirë të Monpeliesë, i cili i linte gjithmonë tek posta një biletë stadiumi, kështu që Hoxha do të ndjekë  gjithë jetës rrugëtimin e ekipit AS.

Një tjetër argëtim i tij ishin edhe ekskursionet dhe mbrëmjet e vallëzimit.

Gjatë kësaj kohe flitet për një vajzë me emrin Luiza që hyn në jetën e Enver Hoxhës, një brune më e madhe se ai që studionte për Histori. Miku më i mirë i Luizës ishte një militant i Partisë Komuniste franceze dhe në mënyrë indirekte Luiza ndikon në prirjen politike të Hoxhës.

Ai fillon të blejë rregullisht broshura që i komenton me të dashurën e tij, po meqë shpeshherë nuk i kuptonte, i rekomandojnë të takojë shokun Marcel, i cili ishte propagandues i partisë.

Ai e takon dhe miqësohet me të. Dy burrat patën simpati për njëri- tjetrin dhe bëhen miq. Ndërkohë për Luizën fillohet të flitet gjithnjë e më pak…

“E kotë të pyesësh pse,” shkruan Schreiber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat