Ministri i quan degraduese rekomandimet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Aktuale

Ministri i quan degraduese rekomandimet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 19:39
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur i zhgënjyer me propozimet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që Komisioni për Administratën Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë përmes Projektligjit për Pagat.

Siç njofton Ministria e Drejtësisë, Tahiri ka deklaruar se Komisioni është treguar tërësisht i paarsyeshëm dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat funksionon ndarja e pushteteve.

Ministri Tahiri ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos aprovojnë rekomandimet e Komisionit, sepse ato paraqesin degradimin e sistemit të drejtësisë. 

Kjo është deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:

Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me rekomandimet përfundimtare që Komisioni Parlamentar ka bërë në Projektligjin e Pagave - në të cilin, pushteti i tretë dhe i barabartë sipas Kushtetutës së vendit, sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial, janë cenuar ndjeshëm.

Rekomandimet e Komisionit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë degraduese.

Kjo qasje është në shpërputhje të plotë me përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona për fuqizimin e Sundimit të Ligjit.

 Gjyqtarët dhe prokurorët, që mbajnë mbi supe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, meritojnë një pagë të dinjitetshme. Por, ajo që është propozuar përmes Projektligjit paraqet një devalvim të thellë të kësaj perspektive.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta bërë Sundimin e Ligjit dhe të gjitha komponentët e tij, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një prioritet kombëtar jashtëzakonisht të nevojshëm, rekomandimi i Komisionit përmes Projektligjit të Pagave është një goditje e rëndë ndaj këtyre përpjekjeve.

Ftoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos mbështesin rekomandimet e Komisionit, sepse parametrat e propozuara për gjyqësorin paraqesin degradim të sistemit të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat