Një italian, me shkollë fillore, ia ka pa hairin mungesës së ligjit në Veri të Kosovës. Atje, një institucion paralel i arsimit të lartë, ia ka lëshuar një dokument fals, me të cilin ka arritur të shkojë në Rumani dhe të punojë si kirurg. Punën prej mjekut që merret me operacione e ka ushtruar nëpër disa klinika private në kryeqytetin rumun.
Media ka arritur që të sigurojë diplomën e italianit Matteo Politi që i është lëshuar nga strukturat paralele serbe të Universitetit të Prishtinës të cilat vazhdojnë të operojnë ilegalisht në veri të Kosovës.
Në veriun e Kosovës, prej vitit 1999, funksionon Universiteti i Prishtinës, i cili asnjëherë s’është njohur nga Republika e Kosovës. Në fakt, Shteti i Kosovës ka dështuar ta fusë këtë institucion nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit. Ky kusht vazhdon të mbajë peng edhe ndryshimin e Ligjit për Arsim në Kosovës pasi serbët refuzojnë të votojnë një ligj të tillë pa iu njohur edhe universiteti i tyre në Veri.
Sidoqoftë, italianit nuk i ka penguar pështjellimi ligjor i Universitetit të Prishtinës në Veri për të t’i përfunduar në nivelin më të lartë, doktoraturë në mjekësi të përgjithshme, në tetor të vitit 2013.
Megjithatë gjithçka mbetet e pa qartë, se si Politi arriti të marrë një diplomë në Kosovë ndërmjet viteve 2007-2013, kur ai në vitin 2011 u dënua nga autoritetet italiane se i kishte vjedhur identitetin e një mjeku tjetër.
Pavarësisht kësaj, Matteo Politi, vazhdojë ta ushtrojë profesionin e tij prej kirurgu në Rumani. Personi që ia ka pranuar diplomën e tij të falsifikuar e të pa përkthyer është suspenduar nga puna në vitin 2018.
I pyetur nga Prokuroria e Shtetit, ky zyrtar kishte thënë se nuk e kishte kuptuar fare gjuhën në të cilën ishte shkruar diploma.
“Zoti e din se nga është ajo letër. Unë nuk e di, ishte me shkronja qirilicë, Unë sinqerisht nuk di të lexojë qirilic”, ka thënë zyrtari i suspenduar që kishte pranuar diplomën e shtetasit italian e për të cilin pritet që komisioni disiplinor të marrë një vendim për të.
Në këtë histori është përfshirë edhe Ministria e Shëndetësisë së Rumanisë, e cila ka njoftuar autoritetet italiane lidhur me rastin. Sipas tyre, kolegët kishin treguar se Matteo Politi nuk dinte si t’i veshte as dorezat e tij.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, të cilët thonë po ashtu se diploma për shtetasin italian është lëshuar nga strukturat paralele në veri të Mitrovicës.
“Ky sistem paralel i institucioneve i përkrahur drejtpërdrejtë nga Serbia, ka përfshirë edhe funksionimin e të ashtuquajturave institucione të arsimit të lartë. Në kuadrin e këtyre institucioneve paralele të arsimit të lartë është edhe Universiteti i Prishtinës, i cili ende sot e kësaj dite funksionon jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, Ky institucion paralel, i cili fizikisht gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, zhvillon aktivitet jashtë kurrikulave, të miratuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ata thonë se i njëjti person kishte provuar që edhe përgjatë viteve 2007-2008 ka tentuar që të mashextrojë kirurgët kosovar për të bashkë investuar në Kosovë.
Sipas OMK-së, dokumentacionet që lëshohen nga këto struktura paralele nuk janë valide, dhe si të tilla nuk përfaqësojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
Për këtë çështje ata i janë drejtuar edhe autoriteteve rumune.
Media ka provuar të kontaktojë edhe ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Shtetasi italian, Matteo Politi, u arrestua me 6 shkurt në një pikë kalim kufitar, derisa po udhëtonte me tren nga Rumania për në Hungari./GazetaExpress/