Kërkohet centralizimi i arsimit dhe zvogëlimi i paraleleve në Kosovë - Bota Sot
Kërkohet centralizimi i arsimit dhe zvogëlimi i paraleleve në Kosovë

Aktuale

Kërkohet centralizimi i arsimit dhe zvogëlimi i paraleleve në Kosovë

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 14:58
Gjatë tryezës për menaxhimin e sistemit arsimor, organizuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje

Gjatë dekadës së fundit në Kosovë është zvogëluar numri i nxënësve për 20 për qind, derisa ai i punëtorëve të arsimit është rritur 8 për qind.

Kështu ka thënë eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, gjatë tryezës për menaxhimin e sistemit arsimor, organizuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë së cilës u propozua centralizimi i arsimit, si dhe mbyllja e disa shkollave që funksionojnë si paralele.

Eksperti i arsimit, Pupovci tha se çdo vit në Kosovë në klasat e para ka 500 deri në 1000 nxënës më pak.

Pupovci, që është njëherësh drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës, po ashtu tha se shumica e subjekteve politike në Kosovë kultivojnë një kulturë klienteliste, duke punësuar bashkëpartiakët e tyre.

Pupovci: Kultura klienteliste po dëmton shkollat

“Kjo kulturë klienteliste bën të mundur që punësimi në nivelin lokal të shfrytëzohet për t’i akomoduar militantët politikë, anëtarët e familjeve, rrethin shoqëror dhe pjesëtarët e tjerë të klientelës së supozuar. Kuptohet, punësimet dhe emërimet e tilla nuk lejojnë që në kulturën e shkollës të zënë fill dy aspekte të rëndësishme të funksionimit të saj, e këto janë përgjegjësia dhe llogaridhënia”, ka thënë Pupovci.

Ai po ashtu tha se në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të paraleleve, të cilat kanë më shumë staf arsimor se sa nxënës.

Pupovci: Nëpër paralele ka më shumë staf mësimor se sa nxënës

“Nuk ka asgjë të keqe që të kemi diku një paralele të ndarë, mirëpo problemi qëndron në faktin, se një numër i konsiderueshëm i këtyre paraleleve të ndara operojnë me numër më të vogël të nxënësve se sa të personelit mësimor dhe të personelit ndihmës brenda atyre paraleleve. Pra, çka ndodh në këto paralele të ndara, në këto paralele të ndara, ne shpesh herë i gjejmë në një klasë nxënësit e grup-moshave të ndryshme, të cilat janë të gjithë familjarë mes veti, ndërkohë që edhe personeli mësimor që punon me ta, janë familjarë”, ka thënë Pupovci.

Ndërkaq, nga GIZ-i gjerman ishte i pranishëm Boris Scharlowski, i cili tha se gjatë viteve të fundit,  GIZ ndër të tjerash ka trajnuar rreth 1000 drejtorë, rreth 5000 mësimdhënës dhe ka formuar komunitetet e të mësuarit së bashku në Kosovë. Sipas tij, ligjet dhe planet e arsimit në Kosovë duhet të zbatohen.

Scharlowski: Duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga raportet që kemi

“E kemi Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë, e kemi Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, natyrisht kemi edhe raportin e vlerësimit PISA, natyrisht kemi edhe dokumente të tjera, por çështja kryesore është që nga këto dokumente të nxjerrim mësimet e duhura”, ka thënë Scharlowski.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci tha se Vetëvendosje ka paraparë katër tryeza diskutimi kushtuar arsimit parauniversitar.

Nagavci: Do të dalim me rezolutë për arsimin

“Ky cikël i tryezave është planifikuar duke pasur parasysh çështje që janë të rëndësishme të adresohen në këtë kohë, për faktin se ne tashmë kemi paraqitur kërkesën për një debat parlamentar për arsimin parauniversitar, pas të cilit mendojmë të miratojmë një rezolutë ku do të përfshihen rekomandimet në koordinim me përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike, dhe ku synojmë t’i përfshijmë edhe rekomandimet që do të dalin nga këto katër tryeza”, ka thënë Nagavci.

Nga LVV kanë njoftuar se do të mbahen edhe tri tryeza të tjera, gjatë të cilave do të diskutohet për cilësinë në arsim, tekstet shkollore, bibliotekat, laboratorët në shkolla, mësimdhënësit dhe shkollimin profesional. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...