Ishinger: Vetëm Vuçiq dhe Thaçi patën guxim të vijnë në panel

Aktuale

Ishinger: Vetëm Vuçiq dhe Thaçi patën guxim të vijnë në panel

Nga: F.B Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 19:23
Pamje nga konferenca e Thaçit dhe Vuçiqit

Kryesuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynhen, Volfgang Ishinger ka theksuar se do të ishte e shkëlqyeshme nëse në vitin tjetër presidenti i Kosovës Hashim Thaç dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të marrin shpërblimin e Konferencës së Sigurisë së Mynhenit, që këtë vit iu takoi liderëve të Greqisë dhe Maqedonisë Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, sepse kanë zgjedhur një çështje problematike për shumë dekada mes dy vendeve.

Ishinger duke përmbyllur panelin e” Siguria në Evropën Juglindore – dy hapa para një prapa ", në të cilin morën pjesë edhe Thaçi, Vuçiq dhe Hahn, ka vlerësuar si guxim gatishmërinë e dy presidentëve që të marrin pjesë në panel.

Diplomati gjerman që disa herë ka qenë ndërmjetës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka theksuar se organizatorët e kësaj konference kanë punuar shumë që të sjellin liderët që kanë problem mes vendeve të tyre, ndërsa këtë e kanë pranuar vetëm Thaçi dhe Vuçiq.

"Keni pasur guxim të mjaftueshëm që të dilni në panel dhe të sqaroni atë që nuk funksionon dhe në një masë pse? ", ka thënë Ishinger për Thaçin dhe Vuçiqin dhe shtoi se vlerëson shumë se të dytë kanë përsëritur vendosmërinë e tyre që dialogu të vazhdojë.

Ai ka theksuar se beson që qeveritë dhe institucionet e të gjitha shteteve të BE-së kanë vullnet që të ofrojnë ndihmë nëse mund të bëjnë diçka që procesi të avanohet.

Cipras dhe Zaev janë fitues të çmimit "Evald Fon Klajst", që ndahet në nderim të themeluesve të Konferencës së Sigurisë së Mynhenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat