Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje, diçka të tillë nuk i kërkoi as Veseli

Aktuale

Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje, diçka të tillë nuk i kërkoi as Veseli

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 15:01
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë tha se partneri i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli nuk i ka kërkuar zgjedhje.

Haradinaj ka bërë të ditur se nuk është takuar më me kryeparlamentarin Veselin  që nga seanca solemne për Ditën e Pavarësisë, ku të dy ata u dukën të acaruar me njëri-tjetrin.

Para gazetarëve, shefi i ekzekutivit tha se nuk komenton fjalët e Kadri Veselit.

Haradinaj: Nuk mund të komentoj fjalët e kryetarit Veseli

“Unë nuk mund të komentoj fjalën e kryetarit Veseli. Ajo është një ditë festive dhe zakonisht ndonjë porosi e kësaj natyre shkon”, tha ai.

Duke u përgjigjur për zhvillimet e ditës së diel në Kuvend, Haradinaj tha se në ditë të tilla ka ngarkesë me punët organizative, siç ishte shënimi i 11-vjetorit të pavarësisë.

Haradinaj tha se nëse Kuvendi i Kosovës arrin votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë, atëherë e respekton, por se ai nuk është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj: Veseli nuk më ka kërkuar zgjedhje, nuk jam i gatshëm

“Nuk jam i gatshëm, jam i gatshëm me punuar, sepse e kam marrë mandatin, por nëse parlamenti vendos ashtu, unë e respektoj. Nuk ka të bëjë me gatishmëri, është një proces i ditur. Nëse nesër thirret një seancë dhe i ka 61 vota mosbesimi për qeverinë, kuptohet shkojmë në zgjedhje dhe vazhdon jeta... Nuk jemi parë me kryetarin Veseli, nuk më ka kërkuar me u mbajt zgjedhjet, por nëse ma kërkon, e respektoj, është e drejtë legjitime për të shkuar në zgjedhje nëse njëri nga partnerët e vlerëson, unë nuk kërkoj zgjedhje”, tha ai.

Sipas Haradinajt, fillimisht duhet të kalohen temat e mëdha, dhe pastaj të shkohet në zgjedhje të lira. Ai shtoi se LDK dhe VV duhet të kyçen në dialog, pasi sipas tij, pjesëmarrja e tyre aty nuk i largon zgjedhjet.

Haradinaj: LDK dhe VV të kyçen në platformën për dialog

“Pjesëmarrja e tyre në këtë proces, nëse ata mendojnë që zgjedhjet janë të nevojshme, ata nuk i largojnë zgjedhjet duke marrë pjesë në proces për dialog. Ata mund t’i përshpejtojnë këto zgjedhje, pra temat janë të ndërlidhura, derisa ne jemi në procese kaq të rënda, është e pashpjegueshme atëherë shkuarja në zgjedhje. Nëse ne heqim disa tema të rënda para vetes, shkojmë në zgjedhje tamam të lira, pa presionin e temave që janë tema të rënda për vendin. Mendoj që edhe LDK edhe VV të kyçen në platformë, të kyçen në dialog, t’i heqim këto tema që i kemi para vetes që në zgjedhjet e ardhshme të jemi për vende të punës, për shëndetësi, për arsim më të mirë”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, Haradinaj tha se e përkrahë idenë e kryediplomatit kosovar Behgjet Pacollit për takime me gjithë spektrin politik në vend, dhe me përfaqësues të SHBA-së për të koordinuar veprimet lidhur me dialogun.

Haradinaj për marrëveshjen finale: Nëse bëjmë lëshime, mbushen rrugët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se e shqetëson kualiteti i marrëveshjes finale me Serbinë.

Lidhur me dialogun me Serbinë, ai ka thënë se deri tani janë bërë lëshime jo parimore, dhe sipas tij, nuk duhet bërë më hapa prapa, pasi atëherë populli do të reagojë në rrugë.

Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se njohja për Kosovën nga Serbia, duhet të vijë si kërkim falje për atë çka ka ndodhur në vendin tonë.

Haradinaj: Nëse bëjmë lëshime i nxjerrim probleme popullit, mbushen rrugët

“Nëse ne fillojmë me hapa prapa, me lëshime çfarë kemi ditë me i bo, jo parimore, atëherë ka me na u gërditë ajo zgjidhja finale dhe do t’i nxjerrim problem edhe popullit tanë, duhet me i mbush rrugët atëherë. Do të kemi vështirësi që do të jenë shumë më të këqija se këto, më mirë është me i kaluar dhimbjet tash dhe me kujdes me treguar që jemi i pari popull që e meritojmë njohjen si kërkim-falje, dhe jemi i pari popull që nuk mundet dikush me na vënë kushte me u kthyer në tavolinë më atë që na i ka shkaktuar ato dhimbje. Nëse duhet me qit kushte, qesim ne, por jo pala serbe. Atëherë, jam i bindur që e kemi të garantuar edhe kualitetin e marrëveshjes finale. Por nëse ne që tani fillojmë me hapat prapa, u siguroj që do ta pësojmë keq shumë. Dhe po shihet që kjo qasje na ka prurë deri këtu, kjo mënyrë e udhëheqjes siç ka ndodhur deri tash”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, se dialogu nuk mund të vazhdojë pa heqjen e taksës, shefi i qeverisë tha se Mogherini ka mbajtur dialog të fshehtë.

Haradinaj: Mogherini ka mbajtur dialog të fshehtë

“Mogherini ka mbajtur një dialog si gjysmë të fshehtë, e ka vazhduar. Ajo është mirë me nxjerr në dritë atë dialog, mos me mbajt fshehtë, le ta nxjerrë në tavolinë, të vazhdojë dialogu ashtu siç i ka hije. Tash e kemi delegacionin shtetëror, e kemi platformën, është mirë të vazhdojë dialogu”, tha ai.

Haradinaj tha se është në interes të të gjithëve që zgjedhja finale të jetë në rregull për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë.

Haradinaj flet për raportet me Veselin, zgjedhjet dhe idenë e Pacollit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentojë fjalimin e të parit të Kuvendit, Kadri Veseli në seancën solemne për nderë të 11-vjetorit të Pavarësisë.

“Kryetari ka dhënë një fjalim dhe unë nuk mundem me e komentu, zakonisht i ka disa porosi edhe pse po më pyetni, edhe në organizim i kemi disa ngarkesa. Zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë se Kosova bënë përjashtim pasi është shoqëri demokratike. S’ka nevojë me u bë nervoz e as me e rritë nervozen me marrë vendime politike me u bo 61 deputetë, edhe s’ka nevoje me kalu në trauma tjera. Unë jam i gatshëm me punu, por nëse parlamenti vendos, kuptohet që unë e kuptojë. Është një proces i ditun dhe nuk ka të bëjë me gatishmëri”, ka vlerësuar ai.

Shefi i qeverisë edhe një herë u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së që t’i bashkohen procesit të dialogut me Serbinë.

“Për zgjedhje nuk kemi nevojë as me u ba nervoz, as kurgjo, mjafton me u bë 61 veta në Parlament. Nuk jam i gatshëm se jam i gatshëm të punoj, po nëse nesër thirret një seancë dhe votohet mosbesimi ndaj Qeverisë, kuptohet shkojmë në zgjedhje. Kur po kam mundësi po konsultohem edhe me ta, po shfrytëzoj cdo mundësi me tregu se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme, nëse mendojnë se zgjedhjet janë të nevojshme, ata nuk i përshpejtojnë zgjedhjet duke mos marrë pjesë në dialog”, vlerësoi ai.

“Mogherini ka mbajtë një dialog të fshehtë, le ta nxjerr në tavolinë, si i ka hija, kemi një delegacion shtetëror, është mirë me vazhdu dialogu”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se mbështet edhe idenë e zv.kryeministrit Behgjet Pacolli, për një tryezë të përbashkët mes liderëve vendore dhe atyre të huaj.

“Më pëlqen ideja e zv.kryeministrit Pacolli për me u taku. Taimet janë të mirëseardhura, edhe ashtu jemi taku në vazhdimësi. Njohja duhet të jetë si një kërkim falje për atë që i ka ndodhë Kosovës. Por, jam i gatshëm të ulem në çdo tavolinë me të gjithë akterët me bisedu për cilëndo çështje”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat