Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë sot se nuk është i interesuar për vota deri sa është shprehur i bindur se Kosova do të dalë fituese.
Ai këto komente i bëri në "Women in Energy Scholarship Program", ku tha se Kosova është me fat që ka një përkrahje unike nga SHBA-ja dhe nga të gjitha institucionet e saj, pa asnjë dallim.
Sipas tij, mbështetja amerikane do të arrijë qëllimin nëse Kosova është në paqe me vetveten dhe fqinjët e vet, pasi asnjë investitor nuk vjen në rajon nëse flitet për luftë.
I pari i vendit shtoi, se asnjë vend i ri, i punës nuk krijohet nëse mungon përkushtimi për një treg të lirë të bashkëpunimit rajonal, dhe ai i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mes tjerash, ai theksoi se SHBA është e fokusuar për të ndihmuar Kosovën në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Thaçi: Interesi nacional është më i rëndësishëm se votat
“Ëndrra e Kosovës shtet i suksesshëm e prosperues, që ndajmë së bashku me aleatët amerikan, arrihet vetëm nëse dalim nga gjendja e status-qou. E di që nuk fitohen shumë vota kur flitet për dialog, por mua nuk më nevojiten votat. Interesi nacional është mbi vota. E kam obligim të them të vërtetën ashtu siç ma thotë mua mendja dhe shpirti, ashtu siç na thonë edhe miqtë për të mirën e Kosovës, ashtu siç e di që është edhe opinioni i qytetarëve të Kosovës. Andaj uroj që këto investime të MCC-s në të mirë të qytetarëve të Kosovës, të rriten, të shumëfishohen duke punuar në realizimin e objektivave të përbashkëta që kemi me ShBA-në. Jam i bindur që Kosova do të dalë fituese dhe gratë kosovare që do të fitojnë këto bursa do të kthehen në Kosovë me një perspektivë shumë më të mirë”, tha ai.