Skandali i djalit të Shefit të AKI-së, Prokuroria s’e ka ngritur ende aktakuzën

Aktuale

Skandali i djalit të Shefit të AKI-së, Prokuroria s’e ka ngritur ende aktakuzën

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 15:35
Shpend Maxhuni

Prokuroria e Shtetit ende s’ka ngritur aktakuzë ndaj Shpëtim Maxhunit, djalit të Shefit të AKI’së. Ky institucion vetëm të premten ka dërguar për ekzaminim substancën që i është gjetur në veturë djalit të zyrtarit të shtetit.

Njëqindetridhjetetre ditë i janë dashur Prokurorisë të ndërmarrë vetëm një hap lidhur me rastin e djalit të Shpend Maxhunit, të cilin e kishte ndalur një patrullë policore e në veturën e tij ishte gjetur një sasi narkotike, një thikë dhe një armë. 

Më 12 tetor ishte bërë ndalesa e tij, ndërsa vetëm dje Prokuroria ka dërguar për ekzaminimin sasia së drogës e gjetur në veturë. Asgjë më shumë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se dje është bërë ekzaminimi i sasisë së drogës, ndërsa nuk është ngritur aktakuzë. 

“Akoma nuk është ngritur aktakuza, lënda është në proces, dje e kanë dërguar për ekzaminim e sasisë së  narkotikëve të gjetur në veturë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ky rast kishte prodhuar skandal, pas tentimit të institucioneve për ta fshehur dhe për ta mbyllur rastin e Shpëtim Maxhunit, djalit të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Gjatë tetorit të vitit të kaluar, në veturën të cilën e voziste Shpetim Maxhuni, ishte gjetur një sasi narkotikësh si dhe armë pa leje.

Rasti ishte heshtur nga Policia e Kosovës, të cilën e kishte udhëhequr Shpend Maxhuni deri para një viti.  Institucionet e shtetit ndërmorën masa rreth këtij rasti vetëm pasi ai u raportua për media, pas disa javësh prej kur patrulla policore kishte ndaluar tre persona, mes tyre edhe Shpëtimi. 

Vetura e llojit Golf IV ishte në pronësi të Enver Maxhunit, babait të shefit të AKI’së i cili para pensionimit ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore  gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar  veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh. M), ishte gjetur një revole e llojit "Zastava", me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm”, njoftonte Policia.

Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, Policia thoshte se në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime.

Mirëpo, më vonë Policia, por edhe Prokuroria deklaronin se gjithçka ilegale e gjetur në veturën që e voziste Shpëtim Maxhunit, nuk i takonin atij, por dy shoqëruesve të tij.

Në njoftimet e Policisë thuhej se personi tjetër që gjendej në veturë, me inicialet  A. K. ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij.

Ndërkaq, u përfshi edhe personi i katërt, Rinor Maxhuni, i cili nuk ka qenë në veturë, porse në Polici ka marrë përsiper pronësinë  e armës.

“Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Pas një periudhe të heshtjes së plotë, Shpend Maxhuni në një nga televizionet u deklarua rreth këtij rasti.

Ai tha se institucionet e vendit duhet ta kryejnë punën e tyre pavarësisht se për kë bëhet fjalë, për ndonjë zyrtar të lartë shtetëror apo familjar të dikujt. Kur ky rast u publikua në media, krerët shtetërorë refuzuan ta komentonin ndërsa Kryprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke mos folur për skandalin e tentimfshehjes së rastit, kishte thënë se “askush të mos deingrohet për shkak të veprimeve të fëmijëve të tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat