Abdixhiku: Do të ishte gabim nëse Mustafa do ta refuzonte Thaçin për takim

Aktuale

Abdixhiku: Do të ishte gabim nëse Mustafa do ta refuzonte Thaçin për takim

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 23:48
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se do të ishte gabim nëse mbrëmë Isa Mustafa do ta refuzonte takimin me Hashim Thaçin.

Abdixhiku, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se është obligim i Kryetarit të partisë më të madhe opozitare të takohet me të gjithë faktorët politikë në vend.

“Po të ketë nevojë, dhe po të ketë situata të reja të relacioneve me SHBA-në ne do të duhej të takoheshim me të gjithë”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Mustafa është takuar edhe me lidëerët tjerë institucionalë dhe partiakë.

“Për mendimin tim do të ishte gabim nëse Isa Mustafa do të refuzonte takimin me secilin nga liderët institucional. Dy javë më parë Mustafa ka takuar edhe Kryeministrin e vendit, është takuar edhe me liderin e NISMA-s edhe me liderin e Vetëvendosjes”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se pozicioni i LDK-së nuk ndryshon me një takim që kryetari Mustafa e ka bërë me Presidentin Thaçi.

“Partitë politike duhet të jenë të informuara për rrethana politike të caktuara. Është me rëndësi të dihet se nuk ndryshon pozicioni i LDK-së me një takim. Mos të dyshojnë njerëzit në pozicionin e LDK-së për shkak të një takimi”.

Ai tha se për LDK-në, kufijtë e Kosovës janë të pakorrigjueshëm dhe të panegociueshëm.

“Pozicioni i LDK-së është se kufijtë e Kosovës janë të pakorrigjueshëm dhe të panegociueshëm. LDK ka një pozicion, njerëzit e LDK-së mund të kenë qëndrime të ndryshme”, tha ndër të tjera Lumir Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat