Gjendet në Shkodër e mitura nga Fushë Kosova, familjarët dyshojnë se ajo u dërgua atje për trafikim - Bota Sot
Gjendet në Shkodër e mitura nga Fushë Kosova, familjarët dyshojnë se ajo u dërgua atje për trafikim

Aktuale

Gjendet në Shkodër e mitura nga Fushë Kosova, familjarët dyshojnë se ajo u dërgua atje për trafikim

Më: 6 mars 2019 Në ora: 13:21
Ilustrim

Gati pesë ditë kohë i janë dashur një familje nga Fushë Kosova për t’i rënë në gjurmë vajzës së tyre të zhdukur(emër i njohur për redaksinë). 15 vjeçarja është gjetur nga familjarët tek të dielën jashtë territorit të Kosovës. Media ka biseduar me dajën e vajzës në shtëpinë e të cilit po qëndron e mitura aktualisht. Ai po dyshon se mbesën ia mashtruan dhe e dërguan në Shkodër për të bërë biznes me të.

Kishte dalë nga shtëpia që ta dërgonte motrën e saj të vogël në shkollë sikurse bënte shpesh, por të mërkurën nuk u kthye më në shtëpi, e as nuk i njoftoi familjarët se ku gjendej.

Për pesë ditë rresht, familja e të miturës nga Fushë Kosova nuk dëgjoi asgjë për fatin e vajzës së tyre. Ata nuk e dinin as nëse është ende gjallë.

Ajo është gjetur tek të dielën në shtëpinë e një të mituri në Shkodër, bashkë me të cilin e kishin kaluar ilegalisht kufirin për të arritur atje. 

Ndërkohë, që ende nuk po dihet nëse ajo ka shkuar me dëshirë atje, apo është detyruar. 

Express ka biseduar me dajën e të miturës, në shtëpinë e të cilit gjendet 15 vjeçarja aktualisht, i cili ka rrëfyer se si ka ndodhur gjithë ngjarja. 

Ai po dyshon se mbesën ia mashtruan dhe e dërguan në Shkodër për të bërë biznes me të.

Daja i të miturës  tregon se mbesa i ishte zhdukur më 28 shkurt, dhe se menjëherë e kishin raportuar rastin në Polici. Ai thotë se Policisë u kishin treguar edhe për dyshimet që kishin për vajzën, pasi që një ditë më herët i kishte kontaktuar një person dhe e kishte kërkuar të miturën me emër e mbiemër.

Por, i zhgënjyer thotë se Policia nuk ishte në gjendje as ta zbulojë se i kujt ishte numri që u kishte telefonuar.

“Vajza u zhdukë më 28 shkurt edhe na jemi kanë me raportu rastin në stacion në Fushë Kosovë. Na kur kemi raportu në Polici, iu kemi tregu për dyshimet e tona. Se një ditë më herët na pati thirrë më herët një numër, edhe e pati lypë vajzën me emër dhe mbiemër. Na ua tregum numrin Policisë, po ata thojshin spo bën. Nuk janë kanë në gjendje as me zbulu se ka ka ardh ky numër’, tregon ai.

Pas raportimit në Polici, familja kishte publikuar fotografinë e 15 vjeçares edhe në rrjete sociale, ashtu që kushdo që e sheh t’i kontaktojë.

Menjëherë pas kësaj, ata kishin filluar t’i kontaktonin disa shtetas të Shqipërisë, ku edhe u kishin thënë se e bija e tyre gjendet në Shkodër.

E përmes numrit, Policia në Shkodër kishte arritur që të identifikojë personin i cili po e mbante në shtëpi vajzën nga Fushë Kosova. Edhe ai ishte i mitur. 

Daja i vajzës tregon se ata kishin arritur që ta kalonin kufirin edhe pse që të dy ishin të mitur.

“Sipas informatave që na kanë thanë njerëzit që e kanë pa kanë thanë që është në Shkodër, edhe na iu kemi besu njerëzve. Kemi thirrë në Polici të Shkodrës, edhe ata për gjysmë ore e kanë gjetë numrin. Na kanë lajmëru Policia që ata e kanë qikën në dorë, edhe na kemi shku me marrë. Krejt përmes numrit e kemi gjete”, vazhdon ai rrëfimin.

Ai tregon se gjendja e vajzës është e mirë, dhe se nuk ka shenja të rrahjes sipas mjekut. 

Por, ai po dyshon që mbesën ia mashtruan dhe e dërguan në Shkodër për të bërë biznes.

“Qika nuk ka pasoja, as nuk ka shenja të rrahjes as sen sipas asaj qysh e ka kontrollu mjeku e sene. Unë jam zhgënjyer tepër me Policinë qysh nuk kanë marrë përgjegjësi, edhe s’kanë qenë në gjendje me marr këtë rast parasysh. 

Qikën nuk e kemi nguc për momentin, e kemi lanë me pushu një kohë edhe me iu kujtu ngjarjet mirë. Po, unë po dyshojë që këta kanë dashtë me ba biznes me këtë se nuk e marrin për dashni, po për biznes. Qëllimi i tyre është me ba biznes me çikat e tona dhe motrat e tona”, tha daja i saj.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i zhdukjes që është raportuar këtë vit. Vetëm në dy muajt e parë të 2019’ës në Policinë e Kosovës janë raportuar 36 raste të personave të zhdukur.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar janë raportuar më shumë se 200 raste të tilla.

“Për periudhën kohore 01/01/2018 - 31/12/2018 janë te raportuara 248 raste, ndërsa për periudhën kohore 01/01/2019 - 28/02/2019 janë te raportuara 36 raste”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Në Polici thonë se kryesisht një numër i konsiderueshëm i personave të raportuar të zhdukur, pas një kohe rezultojnë të gjetur apo të kthyer në lokacionet e tyre.”
Derisa thonë se mosha dhe gjinia e personave te përfshirë ne këto raste është e ndryshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...