Nuk mund të arrihet marrëveshje me Vuçiqin, Daçiqin dhe Sheshelin që promovuan apokalipsin e Ballkanit

Aktuale

Nuk mund të arrihet marrëveshje me Vuçiqin, Daçiqin dhe Sheshelin që promovuan apokalipsin e Ballkanit

Nga: N.Sh Më: 7 mars 2019 Në ora: 18:31
Shesheli, Daçiqi dhe Vuçiqi

Një marrëveshje me Serbinë, me aktorët politik, Vuçiqin, Daçiqin dhe Sheshelin është e pamundur.

Kështu vlerëson kreu i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, i cili shton se, këta tre promovojnë politika anti shqiptare me teza nacionaliste shoviniste që ende tregojnë një oreks të pangopur për tokat shqiptare.

“Mos harrojmë as ne dhe as Perëndimi, që Vuçiç jo vetëm nuk e fsheh, por e shpall hapur se idhulli i tij politik ishte dhe mbetet Kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, mjaft të analizosh deklaratën e Vuçiçit bërë në Kosovë gjatë vizitës së tij në shtatorin e kaluar”, thotë ai, transmeton gazeta “Bota sot”.

Lexojeni të polotë shkrimin e Kurtit:

NJË MARRËVESHJE ME VUÇIÇIN DHE DAÇIÇIN, DO TË KISHTE PO AQ "SHUMË VLERË", SIKURSE MARRËVESHJET E MILLOSHEVIÇIT ME FAKTORËT NDËRKOMBËTARË PARA LUFTËS!

Kosovës dhe Serbisë, ju duhet patjetër një ditë, të arrijnë një marrëveshje afatgjatë dhe të përhershme - por personalisht mendoj se një marrëveshje afatgjatë me këta aktorë të politikës serbe si Vuçiç, Daçiç dhe Sheshel që promovojnë politika anti-shqiptare me teza nacionaliste - shoviniste dhe ende e tregojnë një oreks të pangopur për tokat Shqiptare, është thuajse e pamundur të arrihet një marrëveshje e sinqertë dhe afatgjatë me këta aktorë politikë, ose edhe po u arrit do të jetë një marrëveshje që do të mbetet në tavolinë.

Nuk duhet harruar se këta të tre figurina politike, promovuan dhe ishin pjesë aktive e apokalipsit Ballkanik ku u masakruan dhe u dhunuan me dhjetëra mijëra qenie njerëzore, Shqiptarë, Kroatë dhe Boshnjakë. Vuçiçi gjatë luftës në Ballkan kishte postin e shefit të propagandes së makinerisë vdekjeprurëse të Millosheviçit sikurse edhe Gëbelsi nazist për Hitlerin.

Vuçiçi edhe sot mund të dëgjohet në një video duke thënë: "për një serb duhet të vriten 100 muslimanë!

E pra, ende sot nuk ka shenja që ky individ mendon ndryshe dhe aq më pak të veprojë ndryshe, në favor të paqes dhe të popujve që dikur ka dhënë urdhër të masakrohen.

Ky individ ka ardhur shumë herë në Kosovë pas luftës dhe asnjëherë nuk kërkoi falje për krimet e luftës të bëra nga serbët në Kosovë ku u vranë dhe u masakruan më tepër se 17 mijë fëmijë, gra dhe burra, 20 mijë gra të dhunuara dhe 1700 të vrarë të pa gjetur dhe duke lënë pas vete një dëm ekonomik prej afër 5 miliard euro!

Pra, këtij presidenti serb, nuk mund ti besohet një marrëveshje historike në mes Shqiptarëve dhe Serbëve. Është e pamundur t'ju besohet politikanëve nacionalist dhe luftë nxitës si Vuçiç, Daçiç dhe Sheshelit, këta janë politikanët serbë të cilët ushqehen në tryezën e lëshimeve, tolerancës ekstreme në emër të demokracisë së Evropës por gjumin e bëjnë në shtratin e Rusisë! Kjo lloj politike dinake i ka rrënjet që nga periudha e komunizmit jugosllav.

SHBA, Evropa edhe ne Shqiptarët duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që këta politikanë radikalë, nacionalistë të cilët i kanë duart e përlyera me gjakun e Shqiptarëve të pafajshëm të largohen nga politika dhe të sillen para drejtësisë ndërkombëtare në Hagë për krime lufte dhe ato të pas luftës. Mos harrojmë as ne dhe as Perëndimi, që Vuçiç jo vetëm nuk e fsheh, por e shpall hapur se idhulli i tij politik ishte dhe mbetet Kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, mjaft të analizosh deklaratën e Vuçiçit bërë në Kosovë gjatë vizitës së tij në shtatorin e kaluar.

Dhe pyetja, që shtrohet për ne shqiptarët e Kosovës, është pse duhet të ngutemi të bëjmë marrëveshje me këtë kastë politike në Serbi, të cilën vetë populli serb nuk e don më dhe me protesta disamujore kërkon largimin e Vuçiçit nga skena politike aktive për shkak të autoritarizmit dhe korrupsionit masiv?

Mbështetja dhe bashkëpunimi me alternativa të reja politike është domosdoshmëri për Kosovën dhe Serbinë. Mos harroni se tashmë ekziston një platformë e tillë e ideuar nga Republikanët e Kosovës në bashkëpunim me Republikanët serbë.

Republikanët e Serbisë me liderin e tyre Nikola Sanduloviç i cili pranoi sovranitetin e Kosovës pa kushte dhe kërkoi falje për gjenocidin e bërë ndaj Shqiptarëve nga forcat serbe dhe njëkohësisht e dëshiron Serbinë në NATO, mund të jenë aleati më i mirë që Kosova të njihet nga Serbia dhe më në fund të kemi drejtēsi.

Republikanët e Kosovës, prej kohësh po punojnë për hartimin e një platforme që ka si bazë reciprocitetin mes dy vendeve dhe jo thjesht si retorikë për konsum mediatik dhe publik.

Vetëm me këtë lloj politike dhe fryme të re në Serbi, një marrëveshje historike Shqiptaro-Serbe do të kishte vlerë dhe një siguri afatgjatë dhe do të sillte paqe dhe zhvillim ekonomik për Ballkanin.

Prof. Faton Kurti

Kryetar i Republikanët e Kosovës, REK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat