Përfundon seanca e jashtëzakonshme, nuk ka kourum të mjaftueshëm për të votuar

Aktuale

Përfundon seanca e jashtëzakonshme, nuk ka kourum të mjaftueshëm për të votuar

Më: 12 mars 2019 Në ora: 10:08

(E plotësuar) - Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me shpenzimet e qeverisë ka përfunduar pa ndonjë amandament të votuar, ngase nuk ka pasur kourum të mjaftueshëm.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet nesër.

“Nuk ka kourum të mjaftueshëm, nesër mbahet seanca e radhës, nëse ka kourum, atëherë votojmë”, ka thënë Haliti.

Gjatë kësaj seance ka pasur përplasje mes deputetëve, të cilët kritikuan qeverinë dhe kërkuan llogari nga kjo e fundit për fondet që u ndanë për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Deputeti i AAK-së: Mbylleni këtë seancë palidhje

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka rekomanduar mbylljen e seancës së jashtëzakonshme ku po diskutohet për shpenzimet për manifestimin e 11 vjetorit të pavarësisë.

Sipas Isufit, LDK po merr autogol dhe po rrezikon që kjo t’i kthehet bumerang.

“Nuk e di pse LDK disa herë thërret seanca të jashtëzakonshme dhe kush po e nxitë në këtë drejtim me marrë autogol ose me iu kthy bumerang pa nevojë kur ka nevojë të mbahen seanca serioze me tema të caktuara, me dokumente me të dhëna konkrete dhe jo të flitet paushall siç po flitet”, ka thënë Isufi.

Ai ka rekomanduar të ndërpritet kjo seancë, të cilën e ka quajtur “palidhje”.

“Prandaj mbylleni këtë seancë palidhje krejt dhe të shkojmë në seanca të mira dhe të domosdoshme për qytetaret e vendit sepse veç po i maltretojmë qytetarët”, rekomandoi Isufi.

***

Deputeti Milaim Zeka tha se kryeministrin Haradinaj po e vjedhin do hajna të vegjël.

“Po e vjedhin do hajna me lapsa, me flamuj. Dhe nëse kryeministri nuk i eliminon këta hajdutë të vegjël, paramendo çfarë bëjnë ata hajnat e mëdhenj”, tha deputeti Zeka.

Ai tha se ka pasur keqpërdorime edhe nga Qeveritë e kaluara duke përmendur këtu Qeverinë Çeku ku sipas tij në atë kohë në planin strategjik zhvillimor janë vjedhur 1.8 milionë euro.

“Mjetet e 1.8 milionë euro janë vjedhur nga Instituti Riinvest dhe kryeministri në atë kohë, Agim Çeku. Këtë e din më së miri Lumir Abdixhiku. Unë e kosnideroj nga ministrat më të ndershëm Bedri Hamza dhe Avdullah Hoti”, tha Zeka.

Sipas tij është jo e logjikshme që LDK dhe PDK të thërrasin seancë për keqpërdorime.

***
Haradinaj: Paratë e pashpenzuara për festimin e pavarësisë do t’i kthehen buxhetit 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës janë shpenzuar vetëm 175 mijë euro  dhe parat e tjera të pashpenzuara do t`i kthehen buxhetit.

Haradinaj tha se pas diskutimeve në publik për shpenzimet e bëra ka kërkuar një raport të auditimit.

 “Kostoja e shpenzimeve është rreth 175 mijë euro. Parat nuk janë ndarë më shumë , të gjitha te tjerat kthehen në buxhet. Unë kam kërkuar një auditim me pa të vërtetet pa asnjë paragjykim”, tha ai.

Ai ia bëri me dije deputetëve të Kuvendit se personeli që ka në Kryeministri, nuk janë vetëm të Aleancës apo të PDK-së por ka edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Haradinaj lavdëroi diskutimin e thirrur për këtë çështje, duke shtuar se kjo është një praktikë e mirë për të kërkuar përgjegjësi nga Qeveria.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca ka dhënë një sërë kritikash në drejtim të qeverisë për ndarje të mjeteve financiare.

Deputeti i LVV-së, gjatë seancës së sotme parlamentare, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka gabuar rënd në shumë raste të ndarjeve të mjeteve financiare.

“Ajo çfarë është tronditëse ka të bëj me festën e pavarësisë. A e din që data e pavarësisë nuk lun, por është me 17 shkurt. Qysh është e mundshme që shpenzimet për pavarësi të shpenzohen prej këtij fondi dhe me lëkundje të madhe. 200 mijë, 500 mijë dhe kërkush s’jep llogari. Një emblemë është paguar 5 euro, e ajo kushton 50 deri 1 euro. Ajo veç nëse është e mbështejllur me ari se ndryshe s’bën”, ka thënë Konjufca.

Deputeti i partisë së Albin Kurtit deklaroi se tenderi për shënimin e Ditës së Pavarësisë (17 shkurt)  është dhënë që të kënaqet ndonjë militant dhe kjo, sipas tij, është e gërditshme.

“Këtu në Kosovë kemi dy llojë të keqpërdorimeve. Tenderëve me presion e direktiva dhe me manipulime.   Keqpërdorimi me rezervën shtetërore”, ka deklaruar ai.

Më tej, deputeti i LVV-së ka folur edhe për ndarjen e mjeteve për presidentin e Republikës, Hashim Thaçi.

“Shpenzimet të paparashikueshme për lobimin personal të presidentit. Për librat e tij personal. Cka na intereson neve lobimi për figurën personale të Hashim Thaçit.  1.2 milionë euro i kemi paguar (taksa paguesit) për presidentin që ai mu enë poshtë e përpjet jo vetëm për librat por me lobu edhe për ndarjen e Kosovës. Kjo nuk guxon me ndodhë”, është shprehur ai.

***

Këtë shqetësim e ka ngritur deputeti i LDK-së Driton Selmanaj  i cili tha se nuk e kupton fare pse deputetët e këtyre partive nuk janë në sallë.

“Kemi thirr këtë debat parlamentare për shkak se nuk kemi arrit të marrim përgjigje nga Qeveria lidhur me shpenzimet e fondeve rezervë. Qeveria ka bërë një praktikë për ndarje të mjeteve pa analiza dhe po bëhen për apetite të koalicionit PAN”, tha Selmanaj.

Sipas tij, vetëm për periudhën e fundit të vitit 2018, 8 milionë euro ka krijuar shpenzime të paplanifikuara.

Po ashtu edhe në dy muajt e parë të vitit 2019, ka shpenzuar afër 50 përqind të rezervave për këtë vit. Duke iu referuar shpenzimeve për festën e 11 vjetorit të Pavarësisë, tha se ka pasur keqpërdorime edhe me blerjen e lapsave.

 “Kjo qeveri në vend që të shkruajnë me laps, po vjedh me laps”, tha Selmanaj. Ai tha se Qeveria ka kulturën zhvatëse e cila pengon zhvillimin socio - ekonomik.

***

Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme ku pikë e vetme rendit të ditës është diskutimi për vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej javën e kaluar, por u shty për shkak të Epopesë së UÇK-së
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat